Ndoshta flas për Murinjon apër të marrë një këshillë
Argjentina është një prej skuadrave që ka bindur më shumë në Kupën e Botës 2010, megjithatë Diego Armando Maradona nuk e përjashton një bisedë nëpërmjet telefonit me Zhoze Murinjon, për t’i marrë një mendim. “Zhoze më pëlqen shumë. Më duket një tip gjithmonë i gatshëm për të diskutuar, të cilin mund ta pyesësh sa herë të nevojitet një mendim se çfarë mund të bësh në situata të caktuara”, deklaroi “Pibe de Oro” gjatë një interviste për “La Nacion”. Drejtuesi i stolit të “seleksion”, pohon se kolegu i tij portugez është i aftë ta rreshtojë skuadrën në fushë për të fituar, edhe pse ndoshta nuk e praktikon lojën e bukur. “Nuk do të ishte habi nëse do ta merrja në telefon për t’i kërkuar një këshillë. Në sezonin që u mbyll, Interi fitoi gjithçka. Ndoshta pa dhuruar shumë emocione, por rezultatet nuk munguan: ata fituan Champions”-in. Më tej Maradona foli për Argjentinën, që regjistroi tri fitore në grup dhe hoqi meritat nga vetja. “Nëse mungon afrimiteti me lojtarët, nuk ka rezultate. Historinë e shkruajnë futbollistët, janë ata që bëjnë magjitë në fushë. Unë ndihem me fat që gjeta këtë grup lojtarësh. E dashuroj skuadrën time, vdes për këta 23 futbollistë. Nuk më shqetëson asgjë, mendojmë vetëm të përmirësohemi së bashku. Mesi? Leo po rritet me ritme si të Formula 1. Ai ndihet mirë, zbavitet, është i lumtur dhe dëshiron të luajë. Detyra jonë, e të gjithëve, është që ta bëjmë sa më të lumtur në fushë”, përfundoi trajneri argjentinas.
#