E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohen Krishtlindjet mes gëzimit dhe skamjes

26/12/2008  Atmosfera në Berat dhe Fier

Festohen Krishtlindjet në Fier dhe Berat. Besimtarët ortodoks dhe shumë qytetarë të tjerë që i përkasin feve të ndryshme kanë marrë pjesë në ceremoninë e lindjes së Krishtit në orët e para të mëngjesit në Kishën e Shëngjergjit në Fier. Ceremonia përkatëse është drejtuar nga at Ilia Bita para besimtarëve të pranishëm në ambientet e brendshme të kishës. “Tashmë, tha at Ilia Biota, lindi një fëmijë, një zot me misionin për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet. Për shumë vjet Krishtlindjet dhe qofshi të bekuar në shtëpitë tuaja”, bekoi ai, ndërsa për gjithë besimtarët at Ilia Bita do të shprehte gjithë urimet për besimtarët e krishterë kudo që ndodhen. Ndërkohë besimtarët e krishterë të qytetit të Beratit kanë festuar Krishtlindjet, festën e tyre të madhe që mban të shënuar ditën e ardhjes në këtë botë të shpëtimtarit të njerëzimit të Jezu Krishtit. Atmosfera festive është ndjerë që në orët e para të mëngjesit në qytetin muze ku qindra besimtarë kanë nisur kryerjen e riteve fetare në kishat e qytetit për të vazhduar më pas më vizitat nëpër banesat e të afërmve të tyre. Edhe pse dita e djeshme është një festë që festohet në mbarë botën për të krishterët nuk kanë qenë të paktë dhe besimtarë të besimeve të ndryshme, të cilët kanë përcjellë mesazhe urimi për të krishterët me rastin e kësaj feste. Gati të gjithë besimtarët janë përpjekur që atmosferës së drekës së Pashës mos t’i mungojë thuajse asgjë. Por në këtë atmosferë festive përballja me çmimet e larta dhe mungesa e parave ka bërë që për pjesën më të madhe të besimtarëve të mungojnë shumë ushqime në tavolinat e tyre festive. Ndërsa një pjesë e festuesve e kanë festuar pa shumë entuziazëm festën e Krishtlindjeve për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike në familjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›