E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja, aty ku s’duhet të jetosh dhe të bësh plazh

08/04/2005  Insitutet monitoruese të mjedisit publikojnë shkallën e ndotjes

Kryqëzimi i “21 Dhjetorit” për më tepër se 10 vjet rresht vazhdon të jetë pika më e ndotur, ku “nuk duhet të marrësh frymë”. Por, pikërisht ky vend është një nga kryqëzimet më të populluara të Tiranës, me më tepër makina e kalimtarë. Në këtë zonë ajri është i ndotur 7 herë mbi normat e OBSH-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndotësit më të rëndësishëm vazhdojnë të jenë pluhuri total (LGS) dhe ai i respirueshëm (PM 10). Këto janë pluhurat që “prodhojnë” firmat e ndërtimit, por po kaq e dëmshme është dhe bloza që lëshojnë makinat tejet të përdorura me naftë. Monitorimi i mjedisit kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik, ai i Mjedisit, Gjeologjik, Fizika Bërthamore, Hidrometerologjik, Instituti i Studimeve të Tokave, Pyjeve etj.

Në Tiranë, ndotja në rritje

Në kryeqytet ndotja e ajrit ka tendenca rritje, të përmbajtjes së grimcave të ngurta PM, të plumbit Pb, si dhe të oksidit të azotit NO2. Vlora dhe Korça konsiderohen relativisht të pastër. Ndërsa qytetet e tjera kanë tejkalim të treguesve të pluhurit total, dhe atij të respirueshëm. Në stacioni e Zharrës (Fier 2) sulfuri i hidrogjenit jep përmbajtje në nivele 2 deri 3 herë mbi normat e lejuara për ajrin e zonës së banuar.

Ku mund të bësh plazh

Kanë një cilësi mikrobiologjike të mirë ujërat në këto stacione të Durrësit: Apolonia, Hekurudha, Ministria e Rendit, Benilva dhe H.Andi. Në plazhin e Kavajës në stacionet Majami, Piceri Argjendi dhe Bunkeri i Bardhë. Plazhet e Vlorës tek ish-vilat e Bllokut dhe në Radhimë.

Ku s’duhet të bësh plazh

Stacionet me probleme rezultojnë te Pallatet e reja në Durrës, te B.R Tirana, te Shkëmbi i Kavajës, te Plazhi i Vjetër dhe Shkolla e Marinës në Vlorë.

Radioaktiviteti i lumenjve

Rezultatet e monitorimit tregojnë për një nivel normal të rdioaktivitetit. Por, ka rritje të fonit të radioaktivitetit në rrjedhjen e poshtme të Erzenit, gjë që tregon për rritjen e shkarkimeve të lëngëta urbane.

Monitorimi i ujërave sipërfaqësore

Lumi i Lanës, Tiranës dhe i Gjanicës janë më të ndoturit. Në stacionet, ku janë marrë mostrat, uji ka qenë i cilësisë së pestë. Të gjitha ujërat janë mbi shkallën e tretë të (pa)cilësisë për sa i përket përmbajtjes së fosforit. Në lidhje me treguesit NKO, NBO5 dhe NH4 janë cilësia e parë deri në të tretë segmentet lumore para hyrjes në qytete, cilësia e tretë deri në të katërt ujërat e lumit Seman, ura Mbrostar.

Ujërat nëntokësorë

Përgjithësisht nuk ka ndotje pellgjesh. Në shpime të veçanta vihet re NO2, NH4 dhe bakteriet Coli dhe Strept. Kjo, pasi një numër i madh pusesh, stacione të pompimit, që përdoren për ujë të pijshëm të qyteteve dhe fshatrave, nuk zbatohet zona e reptësisë dhe mbrojtja sanitare. Për sa i përket pesticideve, përgjithësisht analizat kanë dalë në rregull, por në disa vende nuk dedektohet përmbajtja e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›