E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushtetarët s´mund të drejtojnë firma

08/04/2005  Ligji u lejon zyrtarëve që të kenë vetëm aksione në mënyrë pasive, pa të drejtën e vendimit

Braho: "Shtyrja e deklarimit për në vitin 2006, frikë nga ata që kanë konflikt interesi"

Kuvendi ka vendosur, dje, me 60 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, që zyrtarëve të lartë të mos u lejohet drejtimi i firmave fitimprurëse, apo të zhvillojnë aktivitete private që sjellin të ardhura. Në votim nuk kanë marrë pjesë disa deputetë të opozitës. Gjatë votimit është hedhur poshtë neni 24, që pranonte se ministrat, deputetët apo drejtues të pushtetit vendor të zotëronin në mënyrë aktive aksione në një firmë. Ligji sanksionin që 60 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit, pushtetarët janë të detyruar që t'ia delegojnë drejtimin e firmës personave të tretë. Pas kësaj, aksionet do të jenë zotërim në mënyrë pasive. Pra, në asnjë rast pushtetarët nuk do kenë të drejtë të marrin vendime, apo të udhëzojnë se si do të veprohet për të drejtuar këtë firmë. Madje, është vendosur që të mos lejohet as e drejta e lidhjes së kontratës mes zyrës ku punon zyrtari dhe firmës fitimprurëse, në të cilën ai ka aksione.

Debati

Në seancë u vendos që zyrtarët të nisin deklarimin e konfliktit të interesave vetëm në vitin 2006. Qeveria do të jetë e ngarkuar të miratojë akte nënligjore, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij. Spartak Braho një veprim të tillë e cilësoi frikë e ministrave dhe zyrtarëve, për të nisur menjëherë kontrollin. "Janë mbi 10 ministra së bashku me Kryeministrin që ligji për konfliktin e interesave i detyron që të zgjedhin mes punës së shtetit dhe veprimtarisë tregtare të tyren dhe të të afërmve. Janë një dyzinë deputetë të mazhorancës, dy prej të cilëve mjekë Mustafa Xhani dhe Gjergji Koja, të cilët drejtojnë borde dhe këshilla vendimmarrëse në institucione që përfitojnë veç pagës së deputetit edhe qindra mijëra lekë të tjerë në mënyrë të paligjshme", tha Braho. Ndërsa ministri Marko Bello ka sqaruar se kjo shtyrje është për shkak se vetë Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive ka kërkuar që kontrolli të mos nis menjëherë, pasi mungojnë strukturat përkatëse. Por, ai tha se ligji do të hyjë në fuqi menjëherë, pasi do të përgatiten aktet nënligjore.

Përplasja

Sipas Ridvan Bodes, ligji nuk paraqet problem vetëm për marrëdhëniet me bizneset që kanë zyrtarët e lartë, pasi ai duhet të veprojë dhe mbi veprimtaritë e OJF-ve dhe OJQ-ve. "Kemi rastin e ish-ministres së Bashkëpunimit Ekonomik, Ermelinda Meksi, e cila ka qenë e emëruar Drejtore e Bordit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pas largimit të saj në këtë Bord u emërua drejtor, ortaku i kompanisë së vetë ministres. Nga një anë vetë ministrja ishte e ngarkuar për të mbikëqyrur FSHZH-në dhe nga ana tjetër ortaku i saj ishte drejtor", tha Bode. Meksi ka hedhur poshtë akuzën, duke thënë se veprimi është monitoruar nga Banka Botërore. "Deklarata e Bodes është e pasaktë dhe shpifëse si në elementët e tij teknikë ashtu dhe në ata politikë. Në rastin e emërimit të drejtorit të FSHZH-së, ai emërohet në bazë të një statuti të aprovuar që në kohën e qeverisjes së PD-së mbas seleksionimit të një numri të madh kandidaturash dhe aprovimit të donatorit kryesor që është Banka Botërore", tha Meksi.

Nuk lejohen

Aksionet aktive

E drejta e kontabilitetit

E drejta e juristit

E drejta e konsulentit

Nënshkrimi i kontratave mes firmës ku është aksion zyrtari dhe zyrës ku është punësuar ai

Neni 35

Personat e lidhur me një zyrtar nuk mund të ushtrojnë aktvitet si person fizik tregtar ose ortakëri të çdo forme, nëse artiviteti përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit të zyrtarit dhe të kompetencës së tij për të vepruar, me akte individuale apo normative, të nxjerra nga ai ose kur zyrtari ka rol thelbësor në nxjerrjen e këtye akteve, të cilat krijojnë pasoja juridike, përfitime ose kosto mbi këtë person fizik apo shoqëri e persona të tjerë tregtarë që bashkëpunojnë ose konkurrojnë me shoqërinë në fjalë. Kjo nuk zbatohet kur: mjeti i vetëm me të cilin ky zyrtar mund të krijojë efektet e mësipërme është një ligj ose një vendim i këshillit të bashkisë, komunës ose qarkut, ose: aktiviteti, ose disa aktivitete tregtare së bashku të një personi të lidhur krijon një të ardhur bruto vjetore më pak se 25 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›