E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e Liqenit Artificial, nisin hetimet

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedim hetimor për ndotjen e Liqenit Artificial. Burimet zyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se ditën e djeshme është regjistruar një procedim penal pas bërjes publike të problemit nga ana e disa mediave. Fillimisht, organi i akuzës do të presë edhe analizat për shkallën e ndotjes dhe do të marrë në pyetje banorët e zonës për të gjetur se cili ka qenë personi apo firma që ka derdhur inerte në liqen. Paralelisht edhe Ministria e Mjedisit ka marrë disa kampionë uji për të kryer të gjitha analizat fiziko-kimike, të cilat do të mund të vërtetojnë llojin e kimikateve që përmban ndotja. Përgjigjja e këtyre analizave pritet të dalë pas disa ditësh dhe, nëse do të ketë rezultate shqetësuese, atëherë nga ana e organeve përkatëse do të merren masa për dezinfektimin e gjithë zonës, si dhe do të merren masa të tjera, që do të kenë për qëllim parandalimin e sëmundjeve të ndryshme te banorët. Javën e kaluar, një sasi e madhe inertesh me materiale të ndryshme ndërtimi janë hedhur në Liqenin Artificial. Vetëm dy ditë më pas, banorët e zonës, të alarmuar nga era e rëndë dhe ngjyra jeshile e ujit të liqenit, i kanë lajmëruar të gjitha organet kompetente, të cilat duket të kenë reaguar në mënyrë të menjëhershme. Të dhënat e para nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në liqen nuk ka ndotje sanitare që rrezikon jetën e njerëzve, por ata këshillojnë që nuk duhet përdorur ky ujë për larje, sepse mund të ndikojë në shëndetin e tyre. Pasditen e së mërkurës, pasi janë marrë të gjitha mostrat e nevojshme për kryerjen e një sërë analizash, me anë të të cilave mendohet edhe të gjenden përgjegjësit e kësaj ndotjeje natyrore, ka nisur pastrimin i sipërfaqes së liqenit nga ndotjet. Pavarësisht se në liqen nuk pati ngordhje të menjëhershme të të gjitha gjallesave, ndotja ndikon negativisht në jetën e tyre, për shkak të moskryerjes së ciklit të oksigjenit.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›