E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 mijë artistë të vegjël dhurojnë spektakël në skenën e TOB

Autori i Lajmit: red.
”Ne synojmë të nxjerrim talente të reja dhe ç është më e rëndësishmja t i bëjmë të kuptojnë të rinjtë se kërcimi dhe sporti është mënyra më e mirë për të kaluar kohën e lirë e për t iu shmangur veseve të këqija si droga apo alkooli. Nga ana tjetër, nëpërmjet evenimenteve të tilla të rinjtë kanë mundësinë të shkëmbejnë me njëri-tjetrin kultura të ndryshme”, - tha Mimoza Mevlani, organizatore e Gjimnastradës “Pranverë 2009”

Shoqata Shqiptare e Dansit Aerobik dhe Modern organizoi spektaklin artistiko-sportiv Gjimnastrada ”Pranverë 2009”. Rreth 1 mijë artistë të vegjël u ngjitën për herë të parë skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit duke u dhuruar spektatorëve 3 orë spektakël. Një eveniment që Shqipërisë tashmë nuk i mungon qysh prej 12 vjetësh, këtë herë arriti të performojë në një skenë të vërtetë arti (në Teatrin e Operas dhe Baletit) duke shfaqur një nivel të lartë artistik e organizativ, kjo falë organizatores Mimoza Mevlani.
Konkurrimi
Në këtë spektakël sportiv konkurruan 22 grupe të rinjsh të grup-moshave nga 5 deri në 18 vjeç, të cilët shpalosën talentin dhe aftësitë e tyre në disiplinat e gjimnastradës. Nxënësit që vinin nga shkolla të ndryshme, së bashku me mësuesit-trajnerë, kishin mbi 6 muaj kohë që përgatiteshin për këtë spektakël. Ndonëse me gjuhën e kërcimit mesazhi që ata përcollën në çdo kërcim ishte i qartë: “Larg veseve të këqija si droga, alkooli, duhani, merruni me sport për të pasur një trup të shëndetshëm”.
Organizatorja
“Niveli organizativ i këtij aktiviteti është rritur vit pas viti. Këtë e tregon edhe fakti që këtë vit ne ngjitëm skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, e për më tepër të gjitha kërcimet u vlerësuan të arrira artistikisht nga juria. Ne synojmë të nxjerrim talente të reja dhe, ç është më e rëndësishmja, t i bëjmë të kuptojnë të rinjtë se kërcimi dhe sporti është mënyra më e mirë për të kaluar kohën e lirë e për t iu shmangur veseve të këqija si droga apo alkooli. Nga ana tjetër, nëpërmjet evenimenteve të tilla, të rinjtë kanë mundësinë të shkëmbejnë me njëri-tjetrin kultura të ndryshme, atë mes komuniteteve apo teknikës së të kërcyerit, të integrohen në shoqëri si të barabartë”, - tha Mimoza Mevlani, organizatore e Gjimnastradës “Pranverë 2009”.
Risia
Këtë herë organizatorët menduan të sjellin një risi në këtë aktivitet, duke krijuar akses edhe për kategoritë sociale në nevojë. Këtë vit për herë të parë, morën pjesë dhe fëmijët romë me grupet e tyre si dhe fëmijët në nevojë, të cilët patën dëshirë për të shfaqur talentin e tyre në fushën e kërcimit. Kjo tregon se Gjimnastrada nuk është thjesht një aktivitet sportiv, por vlen edhe si një mbështetje apo një derë e hapur edhe për ato komunitete që ndihen të diskriminuar në shoqëri. Mesazhin për integrimin e këtyre grupeve në shoqëri apo të qenit i barabartë të paktën në gjirin e fëmijëve, tashmë e ka dhënë organizatorja Mimoza Mevlani nëpërmjet aktivitetit të saj Gjimnastrada Pranverë 2009”.
Juria
Juria përbëhej nga personalitete të fushës së artit dhe sportit shqiptar, si mjeshtri i kërcimit Rexhep Çeliku, aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku, Polikseni Gorishti dhe Eno Birko. Një juri e tillë nuk kishte se si të mos jepte vlerësimet për grupet më të talentuara.
Çmimet
Më çmimin e parë të Gjimnastradës “Pranverë 2009″ juria vlerësoi grupin e drejtuar nga Mimoza Bekteshi “Centro Danca Mimoza” për koreografi, performancë dhe teknikë, në vend të dytë u rendit Ansambli “Silvia” i komunitetit rom me drejtues Like Zelia, dhe në dy vendet e treta u renditën shoqata e “Fëmijëve në nevojë” e drejtuar nga Etleva Lena dhe grupi i Akademisë së Fizkulturës “Vojo Kushi”.
Sponsorizimi
Duke qenë një shoqatë vullnetare, është shumë e vështirë të organizohen aktivitete pa mbështetjen e një sponsori. Organizatorja Mimoza Mevlani falënderon Raifaisen Bank si sponsor kryesor i këtij aktiviteti, tashmë prej vitesh.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›