E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: “PD-ja do të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Zgjedhjet në degën e PD-së Tiranë

Partia Demokratike, dega Tiranë, ka votuar për kreun e partisë për kryeqytetin, duke zgjedhur si kryetar të saj deputetin e PD-së dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçin.
Ish-ministri i Drejtësisë ka qenë dhe një nga preferencat e kryeministrit Berisha, duke sjellë kështu braktisjen e garës nga Besnik Mustafaj. Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë gjithsej 826 delegatë të PD-së së Tiranës, të cilët kanë votuar për kreun e degës së tyre dhe për Kryesinë e kësaj partie sipas delegatëve të zgjedhur nga nëndegët dhe grupseksionet në rrethin e Tiranës dhe komunat përreth. Kuvendi ka filluar në orën 12` të ditës dhe kanë përshëndetur ish-kryetari, Sokol Olldashi, kryeministri Sali Berisha si dhe kandidatët për kreun e PD-së së Tiranës Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi. Në punimet e këtij kuvendi merrnin pjesë të gjithë eksponentët e lartë të selisë blu, Kryeparlamentrja Topalli, nënkryetari Patozi, ministra të qeverisë Berisha , deputetë si dhe gjithë kabineti personal në Kryeministri i kreut të PD-së. Kuvendi i Tiranës zgjodhi gjithashtu dhe kryesinë e saj për katër vitet e ardhshme si dhe kryetarët e nëndegëve dhe të grupseksioneve. Kreu i ri i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, tha pas shpalljes së rezultatit që nxirrte atë në krye, se "PD-ja e kryeqytetit do të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit". Bumçi deklaroi se "gjatë katër viteve të qeverisjes së saj, PD nuk u transformua nga pushteti, por ajo e përdori këtë pushtet për të ndryshuar jetën e shqiptarëve. PD duhet të theksojë identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë". Ai vuri në dukje drejtimet për organizimin e degës së PD-së në kryeqytet, përmes nxitjes së debatit politik. "Neve na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit. Ajo, sidomos, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik", tha Bumçi.

Box

Profil, Aldo Bumçi

Aldo Bumçi, kryetari ri i Partisë Demokratike të qytetit të Tiranës, ka lindur më 11 qershor 1974 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare (1993-1997) në Universitetin e Mesdheut Lindor (Eastern Mediterranean University), në Famagusta, Qipro Veriore. Në vitet 1997-1999, zoti Bumçi ka kryer studimet pasuniversitare për Magjistër në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Bilkentit në Ankara (Turqi). Ai ka marrë pjesë në disa kurse mbi shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat janë organizuar nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Bumçi ka ushtruar funksionet e ministrit të Drejtësisë nga shtatori i vitit 2005 deri në mars të vitit 2007. Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë me 53.9 % të votave në qarkun e Lezhës, gjatë Legjislaturës XVII të Kuvendit të Shqipërisë, ku ka qenë edhe anëtar i disa komisioneve parlamentare. Bumçi është njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Kryesisë së Partisë Demokratike, si dhe anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave. Gjithashtu, ai është autor ose bashkautor në disa botime mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jurisprudencën.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›