E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgesat e parave nga BE-ja, ulen tarifat

Autori i Lajmit: red.
Duke filluar që nga data 1 qershor 2009 të gjitha transfertat bankare nga njeri vend në tjetrin do të kushtojnë më lirë, kjo për shkak të vënies në funksionim të numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare IBAN.
Banka e Shqipërisë, bëri të ditur se të gjithë numrat e llogarive bankare të klientëve, që përdoren për të kryer transferta brenda apo jashtë vendit do të këtë formatin IBAN, një lloj sistemi i cili shmang gabimet e mundshme në transferta si dhe shërbimi ofrohet brenda një kohe rekord. Por mbi të gjitha, ky sistem ul kostot e transaksioneve. Bankat aplikojnë një pagesë që nis prej 10 eurosh për çdo transfertë, që bëhet nga llogaritë bankare që nuk janë pjesë e kodit IBAN. Aplikimi i këtij kodi do të kryhet nga cilido që bën një transfertë bankare, por në rastin e Shqipërisë, ky kod do të ndihmonte emigrantët shqiptarë, që të sillnin para me një kosto edhe më të ulët. Kodi IBAN, ose numri ndërkombëtar i llogarisë bankare, aplikohet në 44 shtete. Çdo transfertë, që kryhet nga një vend në tjetrin është me kosto minimale, pasi vendet janë pjesë e këtij sistemi te përbashkët.
Vendimi i PE-së
Parlamenti Evropian miratoi para disa javësh me shumicë votash dy propozime legjislative, që marrin masa për lehtësimin e përdorimit të parave për qytetarët në Evropë, kur ata dëshirojnë t i transferojnë nga një vend në tjetrin, apo kur duan që të paguajnë elektronikisht. Nismëtarja e kësaj pakete ligjore është anëtarja e Grupit Liberal demokrat, Margarita Starkeviciute, e cila ishte raportuese e Parlamentit për rregullimin e pagesave nga një vend në tjetrin. Ajo shpjegon se “në ditët tona është shumë e rëndësishme të rinisë rritja e ekonomisë. Burimi potencial i rritjes është realizimi i tregut të brendshëm, veçanërisht në shërbimet financiare, të cilat akoma mbeten të fragmentarizuara”.
Sa ulen tarifat
Procesi i rishikimit të Rregullores 2560 ka përfshirë një numër elementesh të ndryshme. Rregullorja e Komisionit Evropian garanton se si Rregullorja 2560/2001 ishte aplikuar në shtetet anëtare dhe se çfarë problemesh praktike kanë dalë gjatë zbatimit të saj. Ajo përfshin një numër propozimesh që mund të bëhen për të zgjidhur çështjet e identifikuara, për të reflektuar më mirë zhvillimet në tregjet financiare të pakicës dhe për të orientuar rregulloren me Direktivën e Shërbimit të Pagesave që ka hyrë në fuqi së fundi. Raporti konfirmon se rregullorja ka arritur dy objektiva kryesore; së pari, ajo ka ulur në një masë të konsiderueshme përqindjet për pagesat nga një vend në tjetrin, veçanërisht për transfertat e depozitave (për transferimin e shumës prej 100 eurosh, më parë duhet të paguaje mesatarisht 24 euro, sipas rregullores, tani kushton me një mesatare prej 2.5 eurosh. Së dyti, ajo ka nxitur industrinë e shërbimeve financiare në mungesën e një eficience dhe infrastrukturën e integruar të shërbimit të pagesave, që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm dhe të kthejë konceptim e një “zone të brendshme pagesash” për pagesat jo të CASH të euros, brenda një realiteti, duke krijuar “Zonën e Pagesave Unike të Euros”, e cila, në një periudhë jo shumë të gjatë, do të ndihmojë në reduktimin e kostove për të gjithë konsumatorët.

Ky lajm është publikuar: 19/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›