Ndotja e lumit Gjanica vë përballë bashkinë dhe ministrinë
Ndotja e lumit Gjanica në Fier ka vënë përballë dje në një konferencë të posaçme drejtuesit e bashkisë me ata të Ministrisë së Mjedisit, por edhe me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, është përpjekur që t’ia hedhë fajin për këtë nivel ndotjeje bashkisë së qytetit. Ndërsa këta të fundit kanë fajësuar ministrinë për mungesë fondesh e projektesh, por edhe për dhënien e lejeve mjedisore kompanive të naftës që operojnë në këtë territor e që konsiderohen si ndotësit kryesorë të Gjanicës.
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, pasi ka prezantuar resurset turistike, ekonomike, industriale dhe gjeografike të qytetit në këtë konferencë ka sjellë një panoramë të qartë të lumit që është kthyer në një nga ndotësit kryesorë për krejt zonën. Zeqaj tha se në planin e studimit të qendrës së qytetit dhe në strategjinë e zhvillimit të tij, projekti i Gjanicës është prezent. Ai theksoi se bashkia ka mbetur në fazën e zbatimit të projektit, pasi i mungojnë fondet e mjaftueshme. Ndërsa tërheqja e donatorëve shihet si një mundësi për ndërhyrje në pastrimin dhe sistemin e këtij lumi.
Ministri i Mjedisit, Mediu, nga ana e tij ka përmendur një sërë faktorësh të tjerë që shkaktojnë ndotje të madhe në mjedis. Ai tha “bashkia më parë duhet të shohë veten dhe pastaj të kërkojë fonde”. Sipas Mediut, realiteti i Fierit është me probleme të mëdha mjedisore. “Menaxhimi i mbetjeve urbane duhet të shihet me përparësi nga bashkia. Kjo e fundit duhet të ketë kujdes me landfillet, të cilat nesër mund të jenë një “bombë me sahat”, për mjedisin”, u shpreh Mediu. Më tej, ai përshëndeti projektin, duke thënë se do të angazhohet personalisht për thithjen e financimeve të huaja.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Angjelina Mërtiri, solli shifra konkrete të ndotjes që dy kompanitë e naftës shkaktojnë në Gjanicë. Ajo bëri thirrje që autoritetet më të larta të vendit duhet që të ndërhyjnë sa më shpejtë për zgjidhjen e këtij problemi
Në konferencë merrnin pjesë përfaqësues të BB-së, BERZH-it, të KE-së, UNDP-së, SNV-së etj. Gjithashtu, ishin prezentë edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.
Lumi Gjanica përshkon në një gjatësi më shumë se 6 km territorin e qytetit të Fierit. Ai paraqet nivel të lartë ndotjeje si shkak i industrisë së naftës, e cila hedh mbetjet e hidrokarbureve në rrjedhën e tij. Shtrati i lumit në shumë vende ka devijuar dhe është cenuar nga ndërtimet pa leje. Vitet e fundit lumi pas daljes nga shtrati po shkakton përmbytjen e mjaft zonave të banuara, tregun industrial, si dhe të një numri të madh biznesesh.
#