E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca gjobit dy importues të miellit e grurit

21/10/2009  Komisioni: Financat, Doganat dhe Tatimet të rishikojnë çmimet e referencës

Pas hetimit në tregun e importimit të miellit dhe të grurit, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi shkelje të konkurrencës. Zyrtarisht Autoriteti i Konkurrencës njoftoi dje sa ka gjobitur dy kompani importuese të miellit dhe të grurit. Hetimi nisi pas bërjes publik të shqetësimit lidhur me rritjen e çmimit të bukës gjatë vitit 2008. Kompania “Bloja” është gjobitur me shumën 38.5 milionë lekë dhe kompania “Atlas” me rreth 27.8 milionë lekë. Sipas ligjit, Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Tatimeve do të mbledhë gjobat e vendosura nga Komisioni i Konkurrencës.

Konkurrenca e pandershme

Pas hetimit rezultoi se ndërmarrjet “Atlas” sh.a dhe “Bloja” sh.a nuk kanë konkurruar në tregun importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Sipas vlerësimit të ekspertëve, këto ndërmarrje kanë koordinuar sjelljen për sa i përket përcaktimit të çmimeve të tregtimit të produkteve përkatëse, si dhe kanë ndarë burimet e furnizimit. Si pasojë e kësaj sjelljeje, këto ndërmarrje kanë aplikuar çmime të njëjta të shitjes së grurit për prodhimin e bukës. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, këto dy ndërmarrje kanë fuqi të ndjeshme në treg. Ekspertët shpjegojnë se kjo marrëveshje e ndaluar me ligj është horizontale, pasi ndërmarrjet së bashku veprojnë në të njëjtin nivel tregu kryesisht në atë të importit të grurit për bukë. Për shkak të integrimit vertikal të tyre, sipas ekspertëve, ka sjellë pasoja në tregun e shitjes së grurit dhe të prodhimit e shitjes së miellit për prodhimin e bukës. Nga ana tjetër, Komisioni i Konkurrencës mbylli hetimin ndaj ndërmarrjeve të tjera që veprojnë në treg pasi nuk u gjetën prova për shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Përfaqësues të dy kompanive mësohet të kenë deklaruar se do të shprehen në lidhje me këtë çështje pasi gjykata të marrë një vendim përfundimtar. Kjo dot thotë se pas njoftimit për këtë sanksion kompanitë kanë aktivizuar zyrat e tyre juridike me qëllim që të hartojnë procedurat për ta animuar çështjen në gjykatë. Gjobat e vendosura nga ana e Autoritetit të Konkurrencës jo rrallë kanë mbetur të paekzekutuara pasi procesi i ankimimit në dyert e organeve të drejtësisë, një e drejtë e kompanive, zgjat për një kohë të gjatë.

Rekomandimet

Në mënyrë që të nxitet konkurrenca e lirë dhe efektive në tregun e importit të miellit dhe prodhimit të bukës, Komisioni i Konkurrencës ka miratuar disa rekomandime që i drejtohen institucioneve të ndryshme publike. Konkretisht rekomandimi shkon për Ministrinë e Financave, Drejtorinë e përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve që të rishikojnë praktikat e çmimeve të referencës, si dhe të rivlerësimeve tatimore në tregun e importit të grurit, për efektet e mundshme që mund të sjellin në kufizimin e konkurrencës në treg. Komisioni i ka rekomanduar edhe Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që të sigurohet se pasqyrat financiare të pasqyrojnë saktë dhe drejt gjendjen pasurore dhe situatën financiare të ndërmarrjeve “Atlas” sh.a dhe “ Bloja” sh.a, si dy ndërmarrje me fuqi të ndjeshme në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›