E Diel, 1 Nëntor 2026

Antidroga fokusohet te tokat pa pronarë

Luftë kultivimit të bimëve narkotike në sipërfaqet pa pronarë. Kjo ka qenë kryefjala e takimit të zhvilluar në Fier për nisjen e fushatës sensibilizuese kundër kultivimit të bimëve narkotike. Në takimin e zhvilluar dje merrnin pjesë drejtori i policisë së Qarkut Fier, Arjan Bozhaj; zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rasim Borishi; përfaqësuesja e qeverisë për pushtetin lokal, Mimoza Seitaj; si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore në Qarkun e Fierit. Nga statistikat e paraqitura nga kreu i policisë së qarkut, Arjan Bozhaj, del se gjatë vitit 2007 janë regjistruar 12 raste të kultivimit të bimëve narkotike, ndërkohë që janë gjetur e asgjësuar 524 rrënjë bime narkotike kanabis sativa dhe 124 rrënjë të bimës papaverum somniferum, nga e cila prodhohet opiumi. Në takim u theksua se tendenca e prodhuesve të lëndëve narkotike është shfrytëzimi i tokave pa pronar, ndaj këtu duhet përqendruar vëmendja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›