Takim për parandalimin e fenomenit "kanabis"
Në Prefekturën e Lezhës është zhvilluar dje takimi i parë i Shtabit të Luftës Kundër Kultivimit të Lëndëve Narkotike. Në këtë takim merrte pjesë drejtori i rendit dhe sigurisë publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit; prefekti i qarkut, Njazi Reçi; drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë, Mërgim Hoxha; si dhe përfaqësues të tjerë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe institucioneve shtetërore të Lezhës. Takimi kishte si qëllim marrjen e masave sensibilizuese për të parandaluar e goditur ashpër fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe rritjen e bashkëpunimit midis strukturave policore dhe atyre të pushtetit vendor në kuadër të kësaj lufte. Drejtori i policisë së Lezhës, Mërgim Hoxha, pasi renditi masat e marra për parandalimin e këtij fenomeni, tha se "lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike kërkon një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të administratës shtetërore, shoqërisë civile dhe komunitetit".