E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotje alarmante e ambientit në Komunën e Klinës

Klinë, 7 gusht - Të gjitha fshatrat e Komunës së Klinës janë jashtë sistemit organizativ të grumbullimit të mbeturinave. Një gjë e tillë bëhet  për shkak të moskoordinimit të mirë ndërmjet përfaqësuesve të fshatrave dhe ndërmarrjes publike “Ambienti” në Klinë.
Kjo bën që ambienti të jetë i ndotur tej mase, pasi që qytetarët pa kurrfarë kontrolli hedhin mbeturinat afër rrugëve, në fusha e male e madje edhe në ujë. Komuna, të paktën në këta dhjetë vjetët e pasluftës, nuk e ka çarë kokën shumë për zgjidhjen e këtij problemi, ani pse gjatë fushatës elektorale është trumbetuar shumë për ambient të pastër. Ata arsyetohen edhe me atë se ndërmarrjet publike për heqjen e mbeturinave nuk i menaxhojnë. Derisa qytetarët presin hapa konkretë nga Komuna, këta të fundit shpesh akuzojnë pikërisht qytetarët se nuk janë vetëdijesuar në këtë drejtim dhe se mbeturinat i hedhin nëpër vende të ndaluara, ku rrezikojnë edhe jetët e tyre dhe të fëmijëve të vet. Në këtë komunë nuk ka ndonjë deponi për hedhjen e mbeturinave, ndërsa ato ilegale pothuajse gjenden në çdo vend. Në mungesë të një organizimi, qytetarët nuk zgjedhin shumë vend ku t’i hedhin mbeturinat. Madje në disa lokalitete, mbeturinat janë hedhur shumë afër shkollave.
Murat Berisha nga fshati Volljakë i Klinës, thotë se e gjitha sipërfaqja fushore e fshatit është e mbushur me mbeturina dhe askush nuk kujdeset për heqjen e tyre. Ai ankohet se nga hedhurinat e ndryshme as dritaret e shtëpive nuk mund t’i lënë hapur.
Ndërsa, Bardhec Berisha, nga fshati Dobërdol, alarmon se mbeturinat që hidhen në fushë dhe male kalojnë në gjendje të lëngshme, që janë të rrezikshme kur konsumohen nga bagëtitë dhe gjithë kjo mund të shndërrohet në sëmundje kancerogjene. Aq më tepër  kur dihet se shumë qytetarë konsumojnë produktet e qumështit. Disa vite më parë ishte përmendur një fabrikë për përpunim të mbeturinave, por asgjë konkrete nuk është bërë në këtë drejtim. Tahir Morina, menaxher i NP “Ambienti”, tregon se prej 55 lokaliteteve sa ka kjo komunë, në asnjë prej tyre nuk bëhet mbledhja e organizuar e hedhurinave.
Klina është vendi i vetëm që mbeturinat hiqen në mënyrë të organizuar. Morina përmend  5 shtëpi në fshatin Rudicë të Klinës dhe disa lokale afariste në Gremnikë, në të cilat mbledhja e mbeturinave bëhet në mënyrë të organizuar.
“Ne po presim që përfaqësuesit e fshatrave të vijnë tek ne dhe të bëjnë marrëveshje. Ne jemi të gatshëm për grumbullimin e mbeturinave dhe vendosjen e kontejnerëve”, thotë Morina.
Rreziku i përhapjes së ndonjë sëmundjeje infektive është shumë herë më i madh, sidomos gjatë verës, kur të reshurat atmosferike janë më të rralla. Udhëheqësi i shoqatës “Ambientalisti” në Klinë, Haxhi Metaj, i fton organet komunale të ndërmarrin veprime konkrete për heqjen e mbeturinave, në të kundërtën, sipas tij, pasojat mund të jenë të mëdha për jetën e njerëzve, të cilët çdo ditë thithin ajrin e ndotur nga mbeturinat e shumta të shkapërderdhura kudo në këtë komunë.
Panorama e shëmtuar nga mbeturinat mund të vërehet edhe përgjatë magjistrales Pejë-Prishtinë. Pushtetarët shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë në marrëveshjen eventuale ndërmjet përfaqësuesve të fshatrave dhe NP “Ambienti” për grumbullim të mbeturinave. Esat Rraci, drejtor i Shërbimeve Publike, e pranon se gjendja e ndotjes së ambientit është e keqe. Ai premton se do të shihet mundësia e ndonjë aksioni bashkë me qytetarë për pastrimin e tyre. Derisa në Klinë, këtë vit ka nisur shqiptimi i gjobave për ata që hedhin mbeturina në vendet e ndaluara dhe që i djegin ato, në fshatra një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
“Qytetarët duhet vetë të mos hedhin mbeturinat aty ku nuk lejohet, për ta ndaluar tërësisht atë veprim. Këtë dukuri pothuajse duhet ta ndjekë çdo fshat”, thotë Elmi Krasniqi, inspektor i Shërbimeve Publike në Klinë

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›