E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuetia ilegale rrezikon zhdukjen e fondit të peshkut në lumenjtë e Klinës

Klinë, 7 gusht - Përfaqësues të shoqatës së peshkatarëve “ Ujëvara e Mirushës” në Klinë, publikisht kërkojnë ndihmë institucionale nga organet qendrore të vendit dhe ato lokale për parandalimin e gjuajtjes ilegale të peshkut dhe ndaljen e ndotjes së ujit nga seperacionet. Në të kundërtën, ata thonë se fondi i peshkut rrezikon të zhduket tërësisht nga lumenjtë e kësaj komune që janë ndër më të pasurit me peshk.  Xhevat Millaku, kryetar i Shoqatës së Peshkatarëve në Klinë, tregon se çdo vit ka zvogëlim të fondit të peshkut, për shkak të peshkimit të egër nga qytetarë të papërgjegjshëm. Sipas tij, gjuajtja e peshkut bëhet në mënyrën me të egër, barbare që ekziston duke përdorur rrjetat, dinamit, gjenerator madje në disa vende edhe me rrymë elektrike. “ Përdorimi i mjeteve ndezëse, gjeneratorit dhe rrymës, bën që çdo gjallesë të ngordhë në pjesë bukur të madhe të ujit”, pohon Millaku. Për pasojë, çdo ditë në lumë mund të shihen peshq të ngordhur, bretkosa dhe gjallesa tjera ujore nga gjuajtja e pakontrolluar që është duke u bërë.
Shoqata e Peshkatarëve të Klinës, ka 16 kontrollorë të ujërave të cilët vullnetarisht kryejnë këtë punë dhe gjatë aktivitetit të përditshëm, kërcënohen nga keqbërësit.
Vetëm sivjet, kontrollorët e ujërave të kësaj komune, kanë arritur që të konfiskojnë mbi 600 metra rrjetë që janë përdorur për peshkim ilegal. Gjobat për ata që zihen në këtë punë janë nga 200 deri 600 euro. Disa persona që janë zënë në flagrancë janë dërguar për kundërvajtje në Gjykatën e Klinës. Millaku thotë se vetëm policia u përgjigjet thirrjeve të tyre për parandalimin e kësaj dukurie. Së fundi kur është pakësuar niveli i ujit në lumenj, gjuetia ilegale ka marrë përmasa edhe më shqetësuese, ndërsa për çudi askujt kjo nuk i intereson përveç Shoqatës së Peshkatarëve.
Ai tregon edhe për ndotje alarmante të lumenjve nga seperacionet private që nxjerrin rërën nga shtrati i lumit pa kurrfarë kontrolli. Sipas tij, shpëlarja e zhavorrit dhe derdhja e ujit është faktor që ndikon drejtpërdrejt në dëmtimin e fondit të peshkut. “ Nga Istogu e deri në fshatin Kramovikë të Rahovecit, ndotja e ujit nga seperacionet është alarmante, dëmton fondin e peshkut, por edhe vetë qytetarët që pastrohen në këta lumenj”, pohon Millaku, i cili akuzon Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për mospërkrahje. “ Disa herë kemi kërkuar ndihmën e kësaj Ministrie, për ndaljen e kësaj dukurie, por zëri ynë nuk është dëgjuar”, pohon Millaku. Komuna e Klinës është ndër më të pasurat me lumenj dhe fond të peshkut. Në territorin e kësaj komune kalojnë hiç më pak se 6 lumenj, ndërsa më të mëdhenjtë janë: Klina, Drini i Bardhë, Lumëbardhi dhe Ujëvara e Mirushës. Peshkatari Idriz Dushi sqaron se fondi i peshkut është më i miri në Kosovë, por në bazë të asaj që po ndodh një ditë mund të mbesim pa ketë pasuri. Ndërkohë Millaku pohon se mbi 3500 peshkatarë nga e tërë Kosova përshkojnë në lumenjtë e Klinës. Policia në Klinë thotë të jenë të përkushtuar në ndalimin e çdo dukurie negative e edhe kësaj të gjuetisë ilegale të peshkut. “ Ne çdoherë u përgjigjemi thirrjeve të anëtarëve të Shoqatës së  Peshkatarëve për dukurinë e gjuajtjes ilegale të peshkut”,  thotë kapiten Agron Hasanaj, njëherësh  komandant i Stacionit të Policisë në Klinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›