E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndragheta, në Shqipëri pas vitit 2000

Financoi disa biznese ndërtimi me aktivitet në akset Tiranë-Durrës dhe Vorë - Fushë-Krujë

Organizata kriminale famëkeqe, “Ndragheta”, me qendër në zonën e Kalabrisë në Itali, ka qenë edhe është e pranishme në fushën ekonomike shqiptare, pasi dyshohet se ka ngritur dhjetëra biznese që merren me materiale ndërtimi. Nga të dhënat e SHISH-it dhe Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se rrjeti “Ndragheta” ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më tepër dhe ka zgjeruar aktivitetin ndërkombëtar. Ekspertë të akuzës thonë se kjo organizatë e ka shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë Europën, ndërsa në Shqipëri është prezente pas vitit 2000, duke ndërtuar në akset rrugore kombëtare të vendit tonë mjaft biznese të rëndësishme që merren me përpunimin e materialeve të ndërtimit, një biznes që ka një xhiro vjetore qindra milionë euro dhe në Shqipëri këto biznese janë konsideruar të suksesshme, pasi kanë pasur çdo lloj mbështetje. Të dhënat e marra nga raporti i SHISH-it dhe nga dosjet hetimore të akuzës qendrore pohojnë se “Ndragheta” ka pasur celulën e saj në vendin tonë, me një rrjet të gjerë personash, kryesisht me lidhje familjare, që punonin për këtë organizatë kriminale dhe arrinin të kryenin trafikun e drogës dhe të armëve.

Dhjetëra operacione policore në Shqipëri dhe Itali janë ndërmarrë duke arrestuar vetëm “ushtarët” dhe “korrierët” e kësaj organizate, por në asnjë rast prokuroria shqiptare nuk ka mundur dot të zbardhë aktivitetin e tyre të pastrimit të parave. Kjo pasi, para vitit 2004, në Shqipëri nuk ka pasur një ligj “Antimafie”. Me “kopjimin” e këtij ligji nga modeli italian dhe me krijimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka pasur disa tentativa për sekuestrimin e aseteve kriminale edhe të organizatave mafioze italiane, por ligji është shfuqizuar vetëm pas tre viteve “jetë”, pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë.

Nga burime pranë akuzës qendrore deklarohet se pas vitit 2000 ka pasur dhjetëra shkëmbime informacioni midis prokurorisë dhe strukturave që merren me parandalimin e kërcënimeve shtetërore, si SHISH dhe institucionet e ekzekutivit, ku janë kryer një sërë masash për parandalimin e ushtrimit të aktivitetit kriminal të organizatave mafioze italiane. Krahas “Kamorras” që ka pasur si synim trafikun e drogës, në Shqipërinë e pas vitit 2000 ka hyrë fuqishëm edhe “Ndragheta”, duke arritur të kapë një nga trafiqet më fitimprurëse gjatë asaj kohe në Shqipëri, atë të trafikut të armëve. Duke qenë se vendi ynë kishte kaluar një periudhë tranzicioni, kujtojmë këtu trazirat e ‘97-ës si dhe shumë armë ishin në dorë të popullatës, organizata mafioze “Ndragheta” hyri fuqishëm duke rekrutuar dhjetëra shqiptarë dhe duke marrë në dorë këtë trafik midis dy vendeve. Pas disa viteve ekzistencë lindi ideja që këto para të fituara nga aktiviteti i paligjshëm të investohen për blerjen e magazinave shtetërore me çmime të lira, duke i privatizuar. Me ndërmjetësimin e disa politikanëve lokalë në Itali, por edhe me një suport politik në Shqipëri, ky rrjet hyri fuqishëm në Shqipëri, duke zaptuar disa troje në aksin rrugor Tiranë-Durrës, si dhe në aksin rrugor Vorë - Fushë-Krujë. Në këto vende ata ngritën disa fabrika dhe biznese për materiale ndërtimi të cilat presupozoheshin të ishin të suksesshme, duke parë që vendi ynë gjatë asaj kohe ishte në ndërtim e sipër.

Nisur nga kjo kërkesë e tregut, organizata kriminale arriti të hyjë në Shqipëri duke pastruar produkte të veprës penale dhe të ardhurat vjetore të vjela nga ky biznes i konsideruar si i ligjshëm në Shqipëri rezultuan efikase për drejtuesit e rrjetit në Itali. Për çdo vit fitimet rriteshin, ndërsa pagimi i taksave realizohej sërish me një skemë kriminale, aq sa shumë nga këto biznese deklaronin se nuk kishin fitim, duke shmangur në këtë mënyrë taksat e tatimit mbi fitimin, por duke marrë edhe fonde për mbajtjen e këtyre bizneseve më këmbë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›