Milo: E majta nuk përfiton nga shkrirja, duhet formulë e re
Teoria e shkrirjes së partive politike opozitare brenda shtratit institucional të Partisë Socialiste mbetet një hipotezë që nuk sjell maksimizimin e rezultatit elektoral. Pas informacioneve mediatike të qarkulluara dy ditët e fundit për një bashkim final mes PSD-së dhe PS-së, nuk kanë munguar të vijnë edhe propozimet politike, të cilat e shohin këtë akt të papërshtatshëm, por edhe formal. “Shkrirja e partive opozitare nuk sjell përmirësim të performancës elektorale, kjo nisur edhe nga përcaktimet e Kodit Zgjedhor në fuqi. Sa i përket deklaratës së z. Gjinushi, në bazë të komunikimeve që unë kam pasur me të, bëhet fjalë për një keqkuptim të saj. Ne, Partia Demokracia Sociale, së bashku me PSD-në përpara disa muajsh kemi nisur diskutimet me Partinë Socialiste për ndërtimin e një formule bashkëpunimi, e cila do të përmirësonte funksionimin e partive tona pa na vënë në atakim me njëra–tjetrën. Dhe për këtë formulë ende po punohet. Pra bëhet fjalë jo për shkrirje, por për një bashkim politik sipas kuptimeve të koalicionit. Mendoj se për parti tradicionale shkrirja nuk ka vlerë dhe kuptim, sikurse në rastin e G99-s, që ishte një eksperiment i z. Rama, që tanimë ka përfunduar”, deklaroi kreu i PDS-së, Paskal Milo. Ai ka bërë të ditur kështu se interesi i vërtetë i aleatëve tradicionalë të selisë rozë është përmirësimi i bashkëpunimit dhe jo tretja e identitetit politik brenda partisë më të madhe opozitare. Kështu shkrirja si dukuri politike refuzohet po të mbahet parasysh se edhe versioni më i avancuar i bashkëpunimit politik, Federata, nënkupton në vetvete ruajtjen e kufijve identitarë të të gjitha subjekteve që aderojnë në të. Ajo që ka rëndësi në këtë debat është raporti i drejtë që krijon ideja e bashkëngjitjes së partive të vogla me interesin e partive të mëdha për Kodin Zgjedhor. është e qartë se mbajtja në fuqi e këtij sistemi elektoral, do të përcaktonte fundin politik të thuajse të gjitha subjekteve aktuale që qëndrojnë jashtë gardhit të dyshes PS-PD. Në këtë drejtim, mendimi i Paskal Milos gjen pikëtakimin me zëra të tjerë të së majtës, të cilët edhe pse nisen nga premisa të tjera në kritikën e tyre, në finale i përmbahen të njëjtës ide: shkrirja mes partive opozitare nuk ka ndonjë vlerë konkrete politike. Kështu, sipas ish-deputetit dhe ministrit socialist, Elmaz Sherifi, hipotezat më të fundit për fuzione partish janë formalitete që shprehin interesin e individëve të caktuar dhe që legalizohen nga forumet e Partisë Socialiste. “Unë mendoj se shkrirja kështu si shfaqet është rregullimi i interesave të disa individëve, që në forumet e PS-së vetëm sa legalizohen. Po ndodh ashtu sikurse e kishim paralajmëruar që me këtë kurs politik dhe mënyrë të drejtuari, pra krejtësisht individuale, PS-ja nga një parti që dikur jepte leksione demokracie dhe të ndërtimit të institucioneve, tanimë gjendet në rrugë për të kërkuar hapjen e kutive”, deklaroi Sherifi. Kështu, kritika ndaj shkrirjes apo ideve të ngjashme ka mbërritur nga dy pikënisje të ndryshme, por që gjithsesi bën të lexueshëm pasojat e veta, të cilat në situatën aktuale mund të jenë një barrë e tepërt për opozitën.
#