E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndre Mjeda, përmes një dokumentari

Dom Ndre Mjeda si njeri, si poet e atdhetar. Në rreth 42 minuta të një dokumentari të promovuar dje në Vaun e Dejës, është shpalosur jeta dhe veprimtaria e kësaj figure të njohur shqiptare. Grupi realizues, producenti Dom Nikë Ukgjini, studiuesi i Mjedës, Mentor Quku, që në këtë rast kishte shkruar skenarin, kishin përzgjedhur Vaun e Dejës për faktin se poeti i njohur, krahas Shkodrës ku ai ka lindur dhe është rritur, një pjesë të mirë të jetës së tij e ka kaluar edhe në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës, si në Mjedë dhe shumë fshatra për rreth tij, por edhe në famullinë e Kuklit, ku ai ka shërbyer për disa vite. Fotografi shkodran Tonin Gega, i njohur për ngjashmërinë fizike me poetin, ka veshur petkat e Mjedës në këtë dokumentar. "Ndjehemi të kënaqur që së bashku me grupin realizues arritëm të përfundojmë me sukses këtë dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Mjedës, duke i dhënë mundësi popullit shqiptar dhe më gjerë të kuptojnë më mirë se kush ishte poeti dhe kleriku", ka thënë në fjalën e tij të hapjes producenti Dom Nikë Ukgjini, realizues i pesë filmave të tjerë dokumentarë. Filmimet për realizimin e dokumentarit janë realizuar pikërisht në këto zona, por njëkohësisht një pjesë e tyre janë bërë të mundura të realizohen edhe jashtë vendit, si në Chatenau des Alleux, pranë Lavalit në Francë, në Kraljevicë të Dalmacisë, ku ka përfunduar studimet filozofike, në Krakova të Polonisë, ku përfundoi studimet teologjike etj. Për 42 minuta që përmbante edhe minutazhi i këtij dokumentari, të pranishmit e shumtë e kanë ndjekur atë me shumë interes, ndërkohë që organizatorët theksuan se ky film dokumentar shërben më së miri për transmetimin e ideve dhe vlerave kulturore atdhetare dhe arsimore te brezat e rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›