Kuotat e parealizuara, si do të plotësohen vendet
Kuotat e parealizuara këtë vit do të plotësohen me rregulla të reja. Ndryshe nga dy maturat e mëparshme, nuk do të ketë më rikonkurrim të kandidatëve. Ata nuk do të plotësojnë formularët A3 dhe A4. "Fituesit do të kenë rreth një javë afat për të kryer regjistrimin paraprak në degën ku kanë fituar. Pasi të kenë përfunduar këtë procedurë, atëherë do të ketë një rishpallje të listës si dhe vendeve të mbetura bosh", sqarojnë specialistët e MASH-it. Për të plotësuar këto vende do të bëhet një spostim i listës sipas rendit zbritës. "Lista do të ulet nga fituesi i fundit deri tek personi që ka më shumë pikë pas tij. Në këtë mënyrë do të plotësohen kuotat", thonë specialistët. Ata bëjnë me dije se nuk do të ketë disa faza regjistrimesh. Kjo për të shmangur kaosin e krijuar vitet e shkuara, ku në universitete futeshin studentë edhe në fillim të dhjetorit. "Ka marrë fund njëherë e përgjithmonë amullia që shkaktohej në fakultete për shkak të fazave të njëpasnjëshme të konkurrimit. Këtë vit të gjithë studentët do ta nisin vitin akademik njëkohësisht", nënvizojnë specialistët. Sipas tyre, dyert e shkollave të larta do të çelen më 4 tetor. Kandidatët do të shpallen fitues vetëm në një degë. Në rast se pas regjistrimit paraprak spostimi i vijës i shpall ata fitues edhe në një degë tjetër, do t'u jepet shansi që të regjistrohen në këtë degë. Ndonëse ka edhe disa javë kohë deri sa të publikohen listat zyrtare, specialistët e MASH-it këshillojnë se nuk duhet gabuar me afatet e regjistrimit. "Ato duhen zbatuar nga të gjithë. Në rast se një student vonon për t'u regjistruar, atij i humbet e drejta e shkollës së lartë", sqarojnë specialistët. Fituesit ashtu si dhe vitet e shkuara do të zgjidhen mbi bazën e pikëve që kanë grumbulluar dhe preferencave që kanë zgjedhur. Kush ka më shumë pikë nga të pestë komponentët e maturës do të ketë mundësi të nisë studimet në degën e preferuar. Aty ku ka konkurrentë me pikë të përafërta, fitues shpallet fillimisht ai me më shumë të tilla. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Listat paraprake të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t'iu dorëzohen institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programeve përkatëse të studimit.