E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndrenika, kthimi i shumëpritur me Shusterin

Robert Ndrenika, Artan Imami dhe Ermir Sina në shfaqjen Doktor Shuster

Mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, komedia e zezë.

Regjisori Spiro Duni sjell një nga vëniet e tij më të mira të viteve të fundit.

Sa shumë të plagosur, po fronti i luftës, ku është xhanëm?! Këtë pyetje i bën vetes herë pas here Nikolla Shuster, teksa kuron të “rënët” në pritat mafioze, në ambulancën e improvizuar në shtëpinë e tij. Me duart e moshuara është ende në gjendje të operojë njerëz, por edhe të rregullojë këpucët e mëhallës. Ai është mjeku që ka parë suksesin dhe rrënimin, burri që ka njohur dashurinë dhe zhgënjimin, babai i tre fëmijëve dhe prapë vetëm… Nikolla Shuster duket se ka mbetur peng i dy kohëve, i asaj kur ish i ri, i bukur e shtatlartë dhe kësaj të sotshmes, kur me zor se kujtohet ndokush për të. Ai është vetëm një prej shumë të tjerëve që jetojnë në vendet postkomuniste. Regjisori Spiro Duni gjithnjë ka dëshiruar të zgjedhë pjesë që prekin publikun, dhe me veprën “Doktor Shuster” duket se ia ka arritur më së miri. Në skenën e Teatrit Kombëtar u ngjit mbrëmë premiera e një vepre me autor serb, por që fare mirë mund të kishte qenë edhe shqiptar. Personazhet janë ata që ndeshim çdo ditë, të përfshirë në absurdin e një shoqërie tranzitore. Brenda një skenë gjatë 90 minutash i gjen të gjithë, babain e vetmuar, motrën e dhembshur që rron me dashuritë e së shkuarës, vajzën ambicioze, zyrtarin e korruptuar, vrasësin ordiner, artistin delirant… Nuk është vetëm meritë e dramaturgut, por edhe e regjisorit, që ka ditur t’i ngjisë të gjithë bashkë, pa ndier kërcitje. Në pamje të parë duket se po flasim për një shfaqje të zymtë, moraliste, por nuk është ashtu. Gjithçka ofrohet përmes një humori të zi, të cilin e shkakton pikërisht ajo ngecja mes dy kohërave, e asaj që nuk është më dhe të sotshmes. Shfaqja nis ngadalë, për të marrë më pas ritmin e duhur. Dialogu është i rrjedhshëm dhe i qartë, i qëruar nga patetizmat.
Aktorët
Në rolin e Nikolla Shusterit nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë se Robert Ndrenika. Duni gjithnjë ka bërë zgjedhje të zgjuara (kujtojmë Drita Pelinkun te “Shtrigat e Salemit”). Paskëshin qenë të gjatë 4 vite pa të. Ndonëse nuk do ta pranonte, e meriton ta thërrasësh mjeshtër. I natyrshëm, energjik, tërësisht në kostumin e vet, Robert Ndrenika të bën për vete e të mban lidhur deri në fund. Pranë tij është Divna, e motra e dashuruar përjetësisht me burrin e saj të vdekur, këngëtarin lirik Sergejin, interpretuar nga Flaura Kureta. Ajo e plotëson atë. Një nga momentet më të bukura të shfaqjes është ai i biçikletës, kur vëlla e motër kthehen në kohën e fëmijërisë dhe gati harrojnë se ku janë, ai i shkul gërshetat dhe ajo e godet me shpullë, teksa thërret “O maaa!”. Në rrugën e tyre ngatërrohet Branko, një polic i korruptuar, interpretuar nga Artan Imami, që mbulon krimet e të vëllait. Ky i fundit (Ermir Sina) e ka më të shpejtë koburen se gjuhën, që ia kanë prerë se fliste shumë. Gjaknxehtësia e tij, ekuilibrohet nga “maturia” e të vëllait, që meqë ka bërë nja dy vite universitet për Filozofi, flet gjithë kohës me citate. Të dy i rrinë mirë rolit të tyre. Si për të plotësuar panoramën, futet edhe një gazetare, Ana, vajza e Shusterit (Olta Gixhari), me një fjalor që nuk i shkon pamjes delikate. Kastit të aktorëve i shtohet edhe baritoni Ogert Islami, i cili luan veten, një këngëtar lirik, në këtë rast patetik, i dashuruar me Anën. Prania e tij është një pikë e shtuar në favor të shfaqjes dhe të regjisorit Duni që me “Doktor Shusterin” solli një nga veprat e tij më të mira të kohëve të fundit, duke lënë te publiku shijen e mirë, të teatrit të mirë.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›