E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, nis ndërtimi i kampusit gjigant universitar, me 9 godina

Gjatë punimeve për kampusin

DURRES – Është vënë në zbatim projekti për ndërtimin e korpusit universitar në Durrës. Punimet për ndërtimin e tij kanë nisur prej disa javësh dhe sipas specialistëve të ndërtimit që po merren me cilësinë e punimeve, brenda këtij viti do të përfundojë njëra nga godinat. Kjo e fundit do të vihet direkt në dispozicion të studentëve po këtë vit, duke e zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin për mungesën e auditorëve, që ka universiteti Aleksandër Moisiu. Puna nga ana e kompanive ndërtuese është fokusuar në hapjen e themeleve dhe sheshimin e terrenit, vend në të cilin do të ngrihet godina e parë, e cila do të pasohet edhe nga tetë godina të tjera në periudha të ndryshme. Sipas rektorit të Universitetit të Durrësit, Mithat Mema, projekti i kampusit që po vihet në zbatim është më moderni në Ballkan, ku në përfundim të tij do të ofrojë kushte më të përshtatshme dhe komode për të zhvilluar punën. Godina e parë do të shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 8 mijë metrash katrorë. Me përfundimin e godinës së parë, Mema sqaron se do të transferohen disa fakultete, të cilat aktualisht zhvillojnë mësimin në gjimnazet e qytetit, si dhe në godina të mara me qira. Sipas Memës, me çeljen e korpusit, zona e Spitallës, në të cilën po ndërtohet ai, do të marrë një zhvillim tepër të madh, por duhet edhe vëmendja e pushtetit lokal. Vendi në të cilin po ndërtohet korpusi universitar së shpejti do të marrë një zhvillim të madh, ndaj edhe ne i kemi kërkuar bashkisë që të shtojë një linjë urbane. Korpusi nga qendra e qytetit ka një distancë prej 5 km dhe shtrirja e një linje të re është më se e domosdoshme, deklaroi Mema. Për vendndërtimin e korpusit të ri ka pasur disa ide, por zona e Spitallës është parë si më e favorshme.
Kampusi do të zërë 48.300 m2, sipërfaqja totale, ndërsa sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 11. 470 m2. Korpusi i ri do të ketë disa godina, auditorë, komplekse shërbimesh arsimore, bibliotekë, librari, park, mjedise akomodime etj., të cilat janë parashikuar të ndërtohen brenda sipërfaqes së mësipërme. Rektori Mema thotë se fillimisht do të ndërtohen pesë godina që i përkasin fazës së parë, kurse në fazën e dytë fondet do u kushtohen mjediseve sportive, restorantit dhe infrastrukturës ndihmëse. Në projektin e korpusit vihet re se nuk do të ketë godina më të larta se 6 metra dhe ndërtesat nuk do të ndërtohen më shumë se 3 kate. Kampusi do të konsiderohet si një qytezë e vogël që do të ngrihet mbi një sipërfaqe prej rreth 50 ha tokë dhe do të shërbejë për akomodimin e rreth 20 mijë studentëve.                        l.m

Auditoret
Studentët e universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës, këtë vit akademik nuk kanë një program të saktë se ku do të zhvillojnë orët e mësimit. Për shkak të numrit të madh të studentëve dhe mungesës së ambienteve, studentë të fakulteteve të ndryshme detyrohen që të bëjnë mësim orar pa orar dhe në ambiente të ndryshme, madje kilometra larg godinës së universitetit. Aktualisht ata bëjnë mësim pasdite në gjimnazet e qytetit, dhe në ambiente me qira të adaptuara në auditorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›