Shkrin dëbora, zbulohet shembja e minierës së kromit

Zona D, mbi qytet, ku ndodhet miniera e shembur
BULQIZE/ Ekspertët: Nga shfrytëzimi pa kriter në zonën D
Shembja e një galerie minerare në zonën D të Bulqizës ka rikthyer ankthin dhe frikën në këtë qytet. Dy ditë më parë, specialistët e nëntokës konstatuan se një minierë private në këtë zonë ishte fundosur plotësisht. Edhe vite më parë specialistët e minierave janë shprehur se nëntoka e Bulqizës është një zgavër e rrezikshme dhe se shembjet do të jenë të pranishme. Inxhinieri i njohur, Jorgo Kola, në shumë raste ka deklaruar se shfrytëzimi pa kriter i nëntokës mund të sjellë pasoja të paparashikueshme në zonën mineralmbajtëse të Bulqizës. Rasti i parë ka të bëjë me cedimin e tokës mes dy lagjeve në Bulqizë. Fusha e Vajkalit, siç bulqizakët e quajnë fushën mes Qytetit të Ri dhe Qytetit të Vjetër, ka pësuar një rënie rreth 6 metra nga niveli i mëparshëm. Ky cedim ka sjellë dëme materiale në disa objekte shtetërore dhe private, ndërsa vetë fusha është shndërruar prej më shumë se një dekade në një liqen, ku çuditërisht në stinën e verës banorë të Bulqizës dalin të gjuajnë peshk. Prej vitit 1968, specialistët e minierave kanë parë se toka mes dy lagjeve të qytetit po lëvizte. Në vitin 1995, specialistët e gjeologjisë kanë konstatuar cedimin e parë, por ulja më e madhe e kësaj fushe është regjistruar në vitet 1996-2000. Rasti i dytë regjistrohet vetëm dy ditë më parë. Tani, pikërisht pas reshjeve të papara të borës, regjistrohen të tjera cedime dhe shembje. Në zonën D, një minierë kromi

Fusha e Vajkalit në Bulqizë e mbuluar nga uji
është shembur totalisht dhe të tjera janë në rrezik. Specialistët sqarojnë se kjo shembje ishte parashikuar nga ana e tyre, pasi minierat aktualisht menaxhohen nga njerëz joprofesionistë dhe punimet e kryera nuk kanë synuar jetëgjatësinë e minierës, por shfrytëzimin maksimal të saj. Jorgo Kola ka sqaruar për të disatën herë se shpëlarja e grimcave aluvionale ka shkaktuar shkëputjen e lidhjeve mes masës shkëmbore e për rrjedhojë shembjen e minierave. Me siguri ndikim ka pasur dhe pesha e madhe e borës mbi galeritë, pasi hapësirat e tyre nuk kanë siguruar më lëndë drusore apo profile metalike. Prej vitit 1990 kontrolli për kryerjen e këtyre punimeve është minimizuar, çka ka bërë që minierat aktualisht të jenë të pasigurta.
Ende nuk ka një prononcim nga strukturat shtetërore që merren me menaxhimin e minierave të kromit, se cilat janë shkaqet e shembjes së minierës dhe mbi masat që do të merren për parandalimin e shembjeve të minierave të tjera.
BULQIZE/ HASAN PASHA