E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndriçim Xhepa: Ekspozeja e kinemasë shqiptare, nesër do të ishte sukses një konkurrim në Kanë

Festivali i Kanës 12 -23 maj, ekspoze me prodhimet filmike shqiptare të tri viteve të fundit

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kanë këtë vit do ti kushtojë një hapësirë të veçantë prodhimeve kinematografike shqiptare. Në ditët e zhvillimit të këtij evenimenti kinematografik botëror 12-23 maj, gjashtë regjisorë shqiptarë do të prezantohen në një pavijon të

veçantë me një ekspoze në këtë festival. Një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare aktori Ndriçim Xhepa, në një prononcim të tij e vlerëson këtë prezantim të filmit shqiptar në këtë festival. Është diçka shumë e mirë për kinematografinë shqiptare, një punë të mirë ka bërë dhe bordi, i cili ka bërë përzgjedhjen e këtyre filmave. Kjo ekspoze i kushtohet për herë të parë kinematografisë shqiptare në këtë festival dhe aty janë prodhime të vlerësuar të kinemasë shqiptare. Kinematografia shqiptare në Kanë, për mua do të ishte sukses një konkurrim nesër në Kanë, tregon aktori i madh i skenës dhe ekranit shqiptar Ndriçim Xhepa, i cili merr pjesë si aktor kryesor në tre filma që do të jenë në këtë ekspoze. Nën logon South-East European Pavilion(Pavijoni i Vendeve të Evropës Juglindore), prezantojnë prodhimet e tyre filmike shtetet si: Maqedonia, Bosnja, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Qipro dhe Shqipëria. Festivali i Kanës është ngjarja më me rëndësi për kineastët, sidomos të vendeve të vogla, për krijimin e kontakteve dhe prezantimi e punës së tyre. Më 12 maj, në Kanë regjisorët dhe producentë shqiptarë: Pluton Vasi, Vjollca Dedei, Spartak Pecani, Dritan Huqi, Andi Deliana, Sabina Kodra dhe Joni Shanaj në hapësirën e pavijonit shqiptar prej 200 m2, do të ketë mundësinë e ekspozimit të afisheve, katalogëve, broshura, manualë dhe DVD të filmave të tri viteve të fundit. Prezantohen filmat: "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit, "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" i Spartak Pecanit, "Trishtimi i Zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, bashkëprodhimi i suksesshëm shqiptaro-serb "Honeymoons" një realizim nga Genc Përmeti dhe Goran Paskaljevic. Në këtë vitrinë janë edhe të filmat: Ballkan Pazar me regji të Edmond Budinës, I huaji i Pluton Vasit, Farmakon me regji të Joni Shanajt , Out of Touch me regji të Andi Delianës, Shqiptari i Johannes Naber.


Tapeti i kuq në Kanë pret yjet hollivudianë
Festivali Ndërkombëtar i Filmit(12-23 maj) në Kanë do të mbledhë dhe këtë edicion yje të kinematografisë botërore, regjisorë, skenaristë dhe aktorë të njohur. Në konkurrim këtë vit është dhe një bashkëpunim gjermano-ukrainas: You, My Joy (gjermanisht Mein Gluck/Fati im) kështu titullohet filmi i regjisorit ukrainas, Sergei Loznitsa. Për realizimin e këtij filmi janë dhënë para jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Holanda e Gjermania. Shumica e filmave të tjerë në festivalin e Kanës nuk janë nga vende europiane, ku ata janë nga Koreja, Irani, Algjeria apo Meksika. Festivali hapet më 12 maj me prodhimin kinematografik Robin Hood të Ridley Scott, një spektakël historik, që shfaqet jashtë konkurrencës. Publiku që do ta ndjekë nga afër këtë eveniment kinematografik,do të ketë mundësinë që të shohë nga afër personalitetet të kinematografisë, që do të parakalojnë në tapetin e kuq.Për filmin e gjatë, juria ka për president regjisorin amerikan Tim Burton, aktoret Kate Beckinsale dhe Giovanna Mezzogiorno, drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kinemave Alberto Barbera, skenaristin Emmanuel Carrere, aktorin nga Porto Riko Benicio del Toro, regjisorin spanjoll Victor Erice, regjisorin indian Shekhar Kapur dhe kompozitorin francez Alexandre Desplat. Juria e filmit të shkurtër ka president regjisorin kanadez Atom Egoyan dhe anëtarë aktoren franceze Emmanuelle Devos, aktoren ruse Dinara Drukarova, regjisorin brazilian Carlos Diegues dhe regjisorin spanjoll Marc Recha.

Nga Julia Vrap

Last Updated on E Merkure, 05 Maj 2010 20:01

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›