E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria është Kulturë, sot në parkun e Apolonisë

Shqipëria është Kulturë,  është tani në fazën finale dhe duke nisur nga dita e sotme në qendrën antike të Apolonisë do të zhvillohen fazat e fundit që do të sjellin dhe fituesit e evenimentit. Mes tyre do të shpallen dhe Ambasadorët e Kulturës Shqiptare. Për të folur mbi këtë

aktivitet dje në hotel Rogner EuropaPark në Tiranë, u zhvillua një konferencë për shtyp. Në të morën pjesë rektori i Universitetit Europian për Turizmin, Prof. Dr Salvatore Messina, kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, njëkohësisht president i komitetit organizator të evenimentit, zyrtarë të MTKRS si Arben Skënderit, këshilltar i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Prof. Dr Paskal Milo, profesor në EUFT dhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale, Prof. Dr. Ilia Kristo, profesor në EUFT. Prof. Dr. Salvatore Messina, në konferencën për shtyp foli mbi projektin e nisur vjeshtën e kaluar dhe theksoi se EUFT dëshiron të jetë një nga shtyllat kryesore të këtij vendi të cilat i japin shtysë zhvillimit të turizmit. Që nga data 14 nëntor 2008, kur nisi sezoni ynë i parë akademik, pas ceremonisë së inaugurimit të tij, ne u nisëm drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë, për të parë nga afër këtë mrekulli të turizmit shqiptar, si një laborator i hapur në terren. Në zonën  e Fierit, ne pamë përkatësisht parkun arkeologjik të Apolonisë si edhe parkun e Divjakës dhe menjëherë nisëm të bënim bashkëpunime me Qarkun, Bashkinë, operatorët privatë të Fierit etj. Qëllimi ynë ishte që secili prej tyre të kishte një mundësi sesi të mund të zhvillonte më tej këtë zonë, pasi dihet se të gjithë e dëshirojnë këtë gjë, por puna është sesi mund të arrihet të bëhet kjo gjë, u shpreh ai. Më tej z.Messina foli për qëllimet që ka ky eveniment, duke theksuar se: Qëllimi ynë është që të marrësh elementët që janë prezentë në kulturën e këtij vendi, siç janë ata që prezanton parku arkeologjik i Apolonisë; pra, të marrim elementet e trashëguara kulturore përmes historisë dhe ti bashkojmë ata me elementët e kulturës bashkëkohore, ku kjo e fundit, përcillet shumë mirë nga të rinjtë e ditëve të sotme. Arben Skënderi, këshilltar i Ministrisë së Kulturës u shpreh se dikasteri ministror do të japë mbështetjen e nevojshme për këtë aktivitet. Në emër të ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, shpreh mbështetjen për gjithçka që parashikon nisma e ndërmarrë nga EUFT, Universiteti Evropian i Turizmit, mbi aktivitetin Shqipëria është Kulturë, i cili është i pari i këtij lloji që zhvillohet në vendin tonë. Ne jemi të angazhuar si dikaster që të japim ndihmesën tonë në të gjitha evenimentet që ai parashikon të zhvillojë brenda kuadrit të tij, cilësoi ndër të tjera Skënderi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›