E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë vjet s'e ktheva kokën nga teatri

Në moshën 29-vjeçare për herë të parë regjisore, në monodramën "Engjëlli i gravitetit" të Massimo Sgorbani-t. Renisa Shabani rrëfen për dramën e adoleshentit obez, sjelljet e shoqërisë sot karshi fenomeneve të tilla. Premiera sonte në Teatrin e Metropolit


Ka kaluar aq kohë nga koha e studimeve, sa Renisa Shabanit me zor i kujtohen shfaqjet e punuara dikur në Akademinë e Arteve: "Miqësia" e Edurado De Filippo-s, "Ndaj të ngrysuri", e René De Obaldia-s, apo "Prometeu"-n e Eskilit. Me mbarimin e shkollës, në vitin 2003, e pa të vështirë të çante në Teatër, një vend i lakmueshëm, po "i paprekshëm" për një regjisor të ri.


E la veten ta rrëmbente puna në televizionin "Top-Channel", si koordinatore, organizatore, producente, asistente regjisore e programeve të ndryshme televizive, duke "mos e kthyer kokën për 6 vite fare nga teatri". Duke mos llogaritur këtu, ndonjë mbrëmje kur shijonte ndonjë shfaqje në Teatrin Kombëtar, ndiente nostalgji dhe me zë të ulët i kujtonte vetes: "Unë kam mbaruar një shkollë teatri".


Për herë të parë, në moshën 29-vjeçare, i jepet mundësia të punojë për një shfaqje në Teatrin e Metropolit. Ka zgjedhur monodramën e dramaturgut italian Massimo Sgorban-it "Engjëlli i gravitetit", ku interpreton i vetëm aktori Florian Agalliu.


Drama shfaqet sonte, ora 21.00 në Teatrin e Metropolit. Skenograf është Lirim Lila. Muzika është një element i rëndësishëm në shfaqje. Kompozitori Eduart Hallulli interpreton për 1 orë në kitarrë akustike, elektrike, me organo, me violinë, bateri.


"Engjëlli i gravitetit" shfaqet edhe më 7, 8 dhe 9 maj. Vepra është shfaqur premierë më 8 deri më 30 mars, 2008, në Teatrin "Franco Parenti". Renisa duket e qetë dhe e kënaqur një ditë përpara shfaqjes në sallën "Bodrum" të Teatrit të Metropolit, teksa është përpara provës së fundit.


Gjithë dëshirë, që më shumë ia lexojmë në sy, duke dashur të tregohet e vetëpërmbajtur, na tregon për lidhjen që ka krijuar me veprën dhe çfarë pret nga e gjitha kjo. "Të përjetoj edhe njëherë emocionin që ndjeva, por jo të mishëruar vetëm në një lexim të thjeshtë", pohon thjeshtë ajo.


Renisa, përse nuk i je afruar teatrit për 6 vite?


Në periudhën që kam mbaruar shkollën nuk të ofrohej mbështetje. Nëpër institucione aktivizoheshin po të njëjtët aktorë, po të njëjtët regjisorë. Në atë kohë ishte
vetëm Teatri Kombëtar dhe nuk ka pasur hapësirë tjetër. Teatrin e shihnim të largët dhe ishte i paprekshëm për artistët e rinj. Preferova të merresha me televizion. Ishte kohë e artë për televizionet dhe të jepej mundësia. Nëse kishe dëshirë për të punuar, gjeje punë. Dëshira për të punuar, më çoi deri këtu, që për 6 vjet të mos ktheja kokën fare nga teatri.


A e shijon punën në televizion?


Puna në televizion është e bukur, të rrëmben dhe nuk e merr vesh si të ikën
koha. Ndihem kreative në atë që bëj. Gjithsesi teatri ka magjinë e vet. Sa herë që vija për të parë ndonjë shfaqje në Teatër më kapte një nostalgji e brendshme thellë-thellë, pa i thënë njeriu dhe mendoja: "Prit se unë kam mbaruar një shkollë teatri!".


Por puna, arrin t'i largojë të gjitha. Në momentin që impenjohesh gjithmonë i kalon momentet e dilemave. Tani që më ra në dorë kjo pjesë, mora përsipër çfarëdolloj risku, dhe thashë "do e bëj". Për veten time në radhë të parë. Nuk dua të di, nëse do të dalë mirë, do të dalë keq, do të ketë sukses apo jo. Thjesht do e bëj për të provuar aftësitë e mia.


Përse bën fjalë "Engjëlli i gravitetit"?


Flet për një adoleshent me probleme peshe, që i janë kthyer edhe në probleme psikologjike. Shoqëria i devijon dhe i mban larg njerëzit me këto lloj problemesh. Mendja e tij është e pazhvilluar. Informacionet e vetme i merr nga televizioni.

Ndodh që në një revistë shikon një akt pornografik dhe kështu krijon konceptin mbi dashurinë. I distancuar nga shoqëria nuk ka njeri që ta kundërshtojë.


Ai arrin deri edhe të kryejë një krim monstruoz dhe dënohet me varje. Por, duke qenë obez, shtyhet ekzekutimi sepse do të këputej litari. Personazhi rrëfen në momentet e fundit në qeli. Nuk dihet nëse janë orët e fundit, ditët e fundit, apo muajt e fundit. Ai është në pritje të dobësimit.


Ç'të mbërtheu tek Massimo Sograbi aq sa ta zgjedhës për prezantimin tënd të parë në një skenë teatri?


Që në momentin e parë që e lexova më riktheu dëshirën për të punuar në teatër. Arrita ta përfytyroja sesi do të ishte në skenë dhe çfarë impakti do të krijonte me publikun.
Kjo është një vepër e bukur dhe do të jetë një shfaqje realiste.


E veçantë është muzika, "live", e krijuar nga Eduart Hallulli. Ai është engjëlli mbrojtës i obezit, personazhit të vetëm të veprës, që është anonim, nuk ka një emër, nuk ka një identitet. Është kompozuar enkas për këtë vepër. Një person bën një orkestër të vërtetë. Luan me kitarrë akustike, elektrike, me organo, me violinë, me bateri. Brenda një shfaqjeje do të dëgjohen të gjitha llojet e veglave të interpretuara nga Hallulli.


Në ç'mënyrë do të mësojmë për jetën e tij?


Ngjarjet do t'i ndjekim nëpërmjet përjetimeve të personazhit kryesor, nëpërmjet rrëfimit të tij. Ai kthehet pas në kohë, sjell fëmijërinë e tij, kujtimet dhe çdo kujtim i tij është i lidhur në mënyrë absolute me ushqimin. Historia të fton ta ndjekësh. Pastaj është aftësia e aktorit.


Përse të bindi Florian Agalliu për rolin e obezit?


Kam besim të plotë në mënyrën e interpretimit të Florit. Të ngul aty për një orë pa i shkëputur sytë gjatë gjithë kohës. E kam parë në shfaqjen "Kallashnikov" dhe mendova se mund të përshtatej me këtë rol. Mua më ka bërë për vete me interpretimin, aftësinë e tij plastike, fizikun, përshtatjen e tij brenda këtij roli.


E shohim në kafaz. Përse i ke dhënë këtë zgjidhje skenografike?


Flori është në një kafaz të pazakontë. Ai është shumë i fuqishëm dhe hekurat e kafazit nuk e mbajnë dot brenda. Por, ai nuk do të dalë prej aty. Ka disa parime të caktuara, të vetat dhe i nënshtrohet çdo lloj situate që i paraqitet në jetë. Nuk refuzon, nuk revoltohet për të dalë nga burgu, nuk ka fare dilema.


I gjithë izolimi i tij i vjen nga diskriminimi i shoqërisë. E gjithë kjo është shkak-pasojë e gjithë reagimeve, veprimeve të tij, që janë naive, i kanë ardhur natyrshëm dhe janë të justifikuara në mënyrën e tij.


Çfarë pret në fund të shfaqjes?


Pres kritika. Një emocion shumë të madh. Për momentin vetëm këtë. Të përjetoj edhe njëherë emocionin që ndjeva, por jo të mishëruar vetëm në një lexim të thjeshtë.
Kësaj radhe të inskenuar, të rrëfyer, më të prekshëm dhe shpresoj t'ia përcjell publikut.


Duke e vënë veten në anën e spektatorit, çfarë pret të shohësh në një skenë teatri?


Në radhë të parë dua të shoh një vepër të bukur, që kur të dalë nga salla të më vërë në mendime.

Për çfarë mund të na bëjë të mendojmë "Engjëlli i gravitetit"?


Në subkoshiencën tonë të gjithë jemi pak racistë ndaj fenomeneve të ndryshme. Ndoshta mund të ndërgjegjësohemi deri diku për mosevitimin e këtyre personave me probleme fizike, por t'i mbështesim dhe t'i bëjmë të ndihen më të sigurt në vetvete.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›