E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndroqi ngushëllon familjen Gërnjoti

Presidenti i Federatës të Boksit Profesionist shqiptar Ylli Ndroqi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së boksierit Dhori Gërnjoti.
Me hidhërim të thellë, mësuam për ndarjen e parakohshme nga jeta të të dashurit tuaj Dhori Gërnjoti. Me largimin e Dhorit, familja ka humbur njeriun e saj më të dashur, sporti humbi legjendën e gjallë të rezistencës ndaj çdo të keqeje, ndërsa boksi shqiptar ka humbur një nga figurat e saj të papërsëritshëm" thuhet në mesazhin e ngushëllimit të zotit Ylli Ndroqi.
Më tej zoti Ndroqi shkruan se "Tek Dhori Gërnjoti, ishin mishëruar në një, talenti i rrallë sportiv, karakteri dhe forca e pashoqe sfiduese ndaj regjimit komunist dhe modestia e rrallë njerëzore. Ndaj, emri, jeta dhe figura e talentit të ringut, do të gdhenden përjetësisht në panteonin e sportit dhe në historinë e boksit shqiptar.
Në këto momente të vështira, më lejoni që të ndajë me të gjithë Ju, dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të të dashurit Tuaj. Ju siguroj se boksi profesionist, do ta mbajë lart emrin dhe figurën e Dhori Gërnjotit duke ia transmetuar të gjitha cilësitë e tij më të mira sportive dhe njerëzore, të gjithë brezave dhe kampionëve të sotëm dhe të ardhshëm të ringut dhe dorezave shqiptare" përfundon në mesazhin e tij presidenti i FBPSH-së zoti Ylli Ndroqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›