E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron Evanthi Cikon dhe Ema Qazimin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot znj. Evanthi Ciko me "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin: "Për punë plot përkushtim me fëmijët jetimë, duke u bërë model i shkëlqyer dhe shembull i madh frymëzimi për të gjithë gjeneratat e edukatorëve dhe drejtuesve të këtyre institucioneve në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror", dhe znj. Ema Qazimi me titullin "Mjeshtre e Madhe" me motivacionin: "Për kontribut të shquar, si interpretuese me mjeshtëri të lartë artistike, e këngës dhe muzikës së lehtë shqiptare."

Këtë vlerësim domethënës dhe respekt për punën dhe krijimtarinë e dy zonjave të nderuara, Kryetari i Shtetit e shprehu përgjatë veprimtarisë kulturore, humanitare në përkujtim të 20 Majit, Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve. Kjo veprimtari u organizua në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, nën kujdesin e posaçëm të Presidentit të Republikës dhe në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore, si dhe shoqata dhe organizma të tjerë në shërbim të këtij komuniteti. Për nder të të pranishmëve në të u dha një program artistik me pjesë të përzgjedhura klasike dhe bashkëkohore, të interpretuara me mjeshtëri e dashuri nga vetë fëmijët dhe artistë të njohur të skenës shqiptare, të cilët gjithashtu apeluan shoqërinë shqiptare për më tepër përkujdesje e humanizëm për ata fëmijë të cilët në jetën e tyre nuk e kanë njohur dashurinë e prindërve të tyre.

Nga ana e saj, znj. Evanthi Ciko, për shumë vite me radhë Drejtoreshë, por edhe edukatore e përkushtuar në Shtëpinë e Fëmijëve në Tiranë, tashmë nëntëdhjetë vjeç, u shpreh shumë e emocionuar për këtë nderim nga ana e Presidentit Topi. "Kam hypur shpeshherë kështu, në skena, por këtë emocion që kam sot, se duket mosha ka bërë punën e vet, dhe s'është e lehtë. E megjithatë ju falenderoj të gjithëve! Festofshi dhe për shumë vite të tjera datën 20 Maj, Ditën e Fëmijëve Jetimë dhe suksese më të mëdha për Shqipërinë! Falenderoj Presidentin, zotin Bamir Topi, falemnderit shumë!", - u shpreh ajo.

Ndërsa, këngëtarja e mirënjohur e muzikës së lehtë shqiptare, Ema Qazimi, shprehu mirënjohjen e thellë për Presidentin Topi për këtë vlerësim të madh. Falenderimet e saj shkuan gjithashtu dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir çumani për këtë surprizë të madhe për këngëtaren, si dhe për krijuesit shqiptarë, artëdashësit, kolegët, miqtë dhe të afërmit e saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›