E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndroqi prezantohet si president nderi i WBF

Ylli Ndroqi Presidenti i Federatës së Boksit Profesionist Shqiptar u zgjodh sot në mesditë dhe President Nderi i WBF. WBF është një ndër federatat më të njohura në boksin botëror, në të cilën bokson edhe shqiptari Kreshnik Qato. Zoti Ylli Ndroqi është njëkohësisht edhe promotor i boksierit shqiptar Kreshnik Qato.
Në fjalën e tij, zoti Ndroqi deklaroi se ndihet krenar që u zgjodh president. "Duke pasur parasysh mënyrën e organizimit, standardet dhe titujt që ka marrë boksieri Qato, ky sukses që korri Qato, mund të ketë qenë pikënisja për të më zgjedhur mua President, dhe ndihem krenar ", pohoi ai. Ndroqi theksoi se do mbështesë shumë boksierë shqiptarë që aktivitetet e boksit shqiptar të qarkullojnë në gjithë Evropën e botën. "Kreshnik Qato me përkushtimin dhe titujt që fitoi na bëri të mblidhemi këtu", shtoi ai. Zoti Nroqi i premtoi anëtarëve të bordit të WBF se do të bëjë të pamundurën që të nxjerrë Shqipërinë nga një fole e padukshme sa i përket boksit.
Koordinatori i WBF, Olaf Schrader tha se Federata e Boksit ka 20 vite histori.
Presidenti ekzekutiv i WBF Haward Goldberg u shpreh në fjalën e tij se ishte një nder për të që emëron zotin Ndroqi, President Nderi të WBF. Ai shtoi se Shqipëria duhet të ndihet krenare që ka një kampion bote si Kreshnik Qato. Goldberg nënvizoi se WBF do vazhdojë mbështetjen për boksin shqiptar. "Boksi shqiptar ka një kampion bote. Ndaj nuk ka asnjë arsye që ta pengojë atë të ngrihet në majë", theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, zoti Ndroqi njoftoi një tjetër ndeshje brenda 15 prillit në Tiranë.
Kohë më parë zoti Ndroqi refuzoi të merrte detyrën e presidentit ekzekutiv të WBF për shkak të impenjimeve të mëdha në fushën e biznesit dhe botën e medias.
Për kontributin e tij të madh në sportin e boksit drejtuesit më të lartë të WBF, me në krye presidentin ekzekutiv të WBF Haward Goldberg dhe Sekretarin e Përgjithshëm të WBF i dhanë Z.Ylli Ndroqi edhe postin e Presidentit të Nderit të WBF .
Prezantimi i Ylli Ndroqit si President Nderi u realizua një konferencë për shtyp në hotel Tirana, ku morën pjesë personalitete të boksit shqiptar, përfaqësues të sportit dhe medias.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›