Rrustemi s’largohet nga Vllaznia

Edhe pse spekulohej se Blerim Rrustemi është larguar nga skuadra shqiptare, Vllaznia, mbrojtësi kosovar do të mbetet pjesë e klubit shkodran edhe gjatë pranverës.
Këtë e ka bërë të ditur të martën vetë 26-vjeçari, i cili gjatë festave të fundvitit qëndroi në Gjermani, vend në të cilin e kaloi një pjesë të karrierës së tij. Ai pretendon ta respektojë kontratën me shkodranët, e cila është e vlefshme deri në fund të sezonit.
“Nuk është e vërtetë se jam larguar nga Vllaznia, e as që më kanë larguar. Unë do të udhëtoj sot (të martën) drejt Shqipërisë, për t’iu bashkuar ekipit në përgatitjet për pranverë. Në klubin shkodran do të qëndroj të paktën deri në verë, edhe pse së fundmi aty është ndërruar trajneri”, ka konfirmuar ish-përfaqësuesi shqiptar.
Ish-mbrojtësi i 2 Korrikut nga Prishtina, te skuadra nga stadiumi ‘Loro Boriçi’ është transferuar si futbollist i lirë, pasi më herët kishte shkëputur kontratën me klubin nga elita e futbollit qipriot, Alki. Ai u transferua te Vllaznia në muajin nëntor, ndërsa deri tash pati 9 paraqitje me ekipin e tij.
Më parë, qendërmbrojtësi Rrustemi ka luajtur për disa klube: Azzuri, Toronto Supra, Portuguesa, Defensor Sporting, Borussia Monchengladbach II, AC Horsens, Rot-Weiss Erfurt e Alki Larnaca.
Ai ka mbetur që 2 vjet jashtë Kombëtares shqiptare, mirëpo, me paraqitje të mira te Vllaznia, beson se do ta bindë trajnerin Josip Kuze, që ta rikthejë atë në ekipin kuqezi. Përpos Rrustemit, te Vllaznia luajnë edhe dy futbollistë të tjerë kosovarë, Ilir Nallbani dhe Fitim Kasapi.