Mavraj, i sigurt në mbrojtje

Mbrojtësi Mërgim Mavraj është vlerësuar me nota pozitive për paraqitjet e tij gjatë sezonit vjeshtor me Bochum në Bundesligën 1 gjermane.
Sipas gazetës gjermane, Revier Sport, Mavraj duhet të jetë krenar pasi ka fituar 63 për qind të dyluftimeve me kundërshtarët. Mbrojtësi shtatlartë është aktivizuar në 13 ndeshje (nota mesatare 3.42) dhe ka dominuar sidomos në lojën në tokë, karshi asaj në ajër, duke shkaktuar pak faulle, më pak se një faull për ndeshje (10 faulle në 13 aktivizime).
Mërgim Mavraj është kandidat potencial për ta veshur fanellën e Kombëtares kuqezi. Trajneri Kuzhe ka konfirmuar faktin se ai do të thirret në miqësoren e parë ndërkombëtare të përfaqësueses për vitin 2010.