E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshim, për të cilin kemi nevojë

Nga Barack Obama, “Wall Street Journal”

Ky është një moment kyç në histori. Po përballemi me krizën ekonomike më të keqe që prej Depresionit të madh – 760 mijë punëtorë kanë humbur vendet e punës këtë vit. Bizneset dhe familjet nuk marrin dot kredi. Vlera e shtëpive po bie dhe pensionet po zhduken. Pagat janë më të ulëtat e dhjetëvjeçarit, në një kohë kur kostot e kujdesit shëndetësor dhe kolegjeve janë më të larta se kurrë.

Në një moment si ky, ne nuk mund të përballojmë shpenzime në rritje, ulje taksash të planifikuar dobët, apo mungesën e plotë të rregullatorit, të cilin tani e konsideron si gabim edhe ish-kreu i Rezervave Federale, Alan Greenspan. Amerika ka nevojë për një drejtim të ri. Kjo është arsyeja, përse unë kandidoj për president i Shteteve të Bashkuara.

Nesër, ju keni mundësinë t’i jepni këtij vendi ndryshimin, për të cilin kemi nevojë.

Kundërshtari im, senatori McCain, i ka shërbyer këtij vendi me ndershmëri. Ai mund të tregojë edhe momente në të shkuarën, ku ai është përplasur me partinë e tij. Por, gjatë tetë viteve të fundit, ai ka votuar pro presidentit Bush 90 për qind të rasteve. Ndërsa në lidhje me ekonominë, ai ende nuk është në gjendje t’u thotë amerikanëve një gjë kryesore që do ta bëjë ndryshe nga Xhorxh Bushi.

Nuk është ndryshim një plan taksash që nuk u jep asnjë qindarkë ndihmë më shumë se 100 milionë amerikanëve të klasës së mesme – një plan për të cilin edhe “National Review”, edhe organizata të tjera thanë se sjell shumë pak përfitim për klasën e mesme. Nuk është ndryshim t’i shtosh më shumë se 5 trilionë deficitit që kemi krijuar vitet e fundit. Nuk është ndryshim të dalësh me një plan për krizën e banesave që rrezikon edhe 300 miliardë dollarë nga paratë e taksapaguesit – një plan për të cilin bordi editorial i kësaj gazete (“Wall Street Journal”) tha se “nxit më shumë pikëpyetje se përgjigje”.

Në qoftë se ka një gjë që ne e kemi mësuar nga kjo krizë ekonomike, është që ne jemi të zhytur të gjithë në të. Nga ECO tek aksionerët e saj, nga financierët te punëtorët e fabrikës, ne të gjithë kemi pjesë te suksesi i njëri-tjetrit, sepse sa më shumë amerikanë të prosperojnë, aq më shumë prosperon Amerika.

Kjo është arsyeja, pse ne kemi titanë të industrisë që e kanë kthyer në mision t’i paguajnë mjaftueshëm që punonjësit e tyre të jenë në gjendje të blejnë mallrat që ata prodhojnë – biznesmenë si Warren Buffett, përkrahjen e të cilit jam krenar që e kam. Kjo është arsyeja, pse ekonomia jonë nuk ka qenë vetëm krijuesi i pasurisë më i madh në botë – ajo ka qenë gjeneruesi më i madh në botë për vende pune. Ajo ka qenë dallga që ngriti varkat e klasës së mesme më të madhe në histori.

Për të rindërtuar këtë klasë të mesme, unë do t’u ofroj një çlodhje nga taksa 95 për qind të familjeve. Nëse punoni, paguani taksa, dhe fitoni më pak se 200 mijë dollarë, do të keni ulje taksash. Në qoftë se fitoni më shumë se 250 mijë dollarë, sërish do të paguani taksë më të ulët se në vitin 1990 – taksë e dividentit dhe taksë kapitali një e treta më e ulët se nën presidentin Reagan.

Ne do të krijojmë dy milionë vende të reja pune duke rindërtuar infrastrukturën tonë të shkërmoqur dhe duke shtrirë linjat e internetit në çdo cep të vendit. Unë do të investoj 15 miliardë dollarë në vit gjatë dekadës së ardhshme për energji të rinovueshme, vende puna pro mjedisit që paguajnë mirë, që nuk shterojnë dhe ndihmojnë në përfundimin e varësisë tonë te nafta e Lindjes së Mesme.

Kur është fjala për shërbimin shëndetësor, nuk na duhet të zgjedhim mes një sistemi shtetëror dhe një sistemi që s’e paguajmë dot dhe e kemi tani. Plani i kundërshtarit tim do t’u bëjë ju të paguani taksa për përfitimet e shërbimit shëndetësor për herë të parë në histori. Plani im do ta bëjë shërbimin shëndetësor të pagueshëm dhe të arritshëm për çdo amerikan. Në qoftë se keni tashmë siguracion shëndetësor, i vetmi ndryshim që do të shikoni nën planin tim janë premiumet më të vogla. Nëse jo, ju do të jeni në gjendje të keni të njëjtin shërbim që marrin edhe anëtarët e Kongresit.

Për t’i dhënë çdo fëmije arsim të nivelit botëror që ata të konkurrojnë në këtë ekonomi globale për vendet e punës së shekullit 21, unë do të investoj në arsimin e hershëm fëmijëror dhe do të rekrutoj një armatë mësuesish të rinj. Por gjithashtu unë do të kërkoj standarde të larta dhe llogaridhënie. Ne do të bëjmë një marrëveshje me çdo të ri amerikan: nëse përkushtoheni në shërbim të komunitetit tuaj apo vendit tuaj, ne do të garantojmë që ju të keni mundësi të paguani shkollën tuaj.

Ndërsa, kur vjen fjala te mbrojtja e këtij vendi, unë do t’i jap fund luftës në Irak në mënyrë të përgjegjshme që ne të pushojmë së paguari 10 miliardë dollarë në muaj, ndërsa Iraku është vendosur mbi një superprodhim gjigant. Për hir të ekonomisë sonë, ushtrisë sonë dhe stabilitetit afatgjatë të Irakut, është koha që irakianët të vendosin vetë. Unë do t’i jap fund luftës kundër Bin Ladenit dhe terroristëve të al-Qaedas që sulmuan më 9 shtator, do të ndërtoj partnershipe të reja për të mposhtur fijet e shekullit 21, dhe të rivendos pozicionin tonë moral që Amerika të mbetet shpresa e fundit më e mirë në Tokë.

Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë. Nuk do të ndodhë brenda natës. Por unë mendoj se ne mund ta bëjmë këtë, sepse unë kam besim tek Amerika. Ky është vendi që i lejoi prindërit dhe gjyshërit tanë të besonin se, edhe pse ata nuk mund të shkonin në kolegj, ata mund të kursenin nga pak çdo javë e kështu mund të shkonin në kolegj fëmijët e tyre; se edhe nëse ata nuk kishin biznesin e tyre, ata mund të punonin aq shumë sa duhej që fëmija i tyre të hapte biznesin e vet. Dhe në çdo moment të historisë sonë, ne jemi ngritur të përballemi me sfidat, sepse ne kurrë nuk e kemi harruar të vërtetën themelore se në Amerikë, fati ynë nuk është shkruar për ne, por është shkruar prej nesh.

Kështu që nesër, unë ju kërkoj të shkruani kapitullin e ardhshëm madhështor të vendit tonë. Ju kërkoj të besoni – jo vetëm në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por edhe në tuajën. Nesër ju mund të zgjidhni politika që investojnë në klasën tonë të mesme, krijojnë vende të reja pune, dhe e rritin këtë ekonomi e kështu çdonjëri ka shans të ketë sukses. Ju mund të zgjidhni shpresën në vend të frikës, bashkimin në vend të përçarjes, premtimin për ndryshim në vend të fuqisë së status quo-së. Nëse më jepni votën tuaj, unë nuk do të fitoj thjesht këto zgjedhje – së bashku ne do ta ndryshojmë këtë vend dhe botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›