E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat nga emigrantët bien me 80 milionë dollarë

Nga Fitim Zekthi

Të ardhurat nga emigrantët deri në shtator të këtij viti ishin rreth 80 milionë dollarë më pak se sa ishin vjet në të njëjtën kohë. Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se vlerësimet e deritanishme tregojnë për rënie të parave që sjellin në Shqipëri me rreth 9 % për nëntë muajt e parë të vitit. Vitin e kaluar dërgesat e emigrantëve deri në fund të shtatorit kapnin një vlerë prej rreth 830 milionë dollarësh, ndërkohë që këtë vit ato kanë zbritur në rreth 750 milionë dollarë. Arsyet e rënies së dërgesave të emigrantëve janë të lidhura me sforcimet që po ndjejnë ekonomitë e vendeve ku përgjithësisht gjenden emigrantët shqiptarë. Vende të tilla si Greqia, Italia, por edhe vende të tjera të Evropës kanë ndjerë presionin e krizës financiare, por ende efektet e saj nuk janë bërë të thekshme, megjithatë kjo gjë ka mjaftuar që emigrantët të ulin në njëfarë mase paratë që dërgojnë në vendin e tyre. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prekur më ndjeshëm dhe atje kriza financiare ka dhënë efektet edhe te vendet e punës dhe te niveli i pagave dhe dërgesat e tyre janë ulur më shumë sesa ato të emigrantëve nga vendet e tjera ku ndodhen emigrantët. Veç këtyre dërgesat e emigrantëve mund të jenë ulur edhe për shkaqe të tjera, siç janë ato që kanë të bëjnë me dobësimin e lidhjeve të tyre me vendin tonë, sado të vogla që të jenë këto dobësime, rritjen e kostove të jetës në vendet ku ata jetojnë etj. Një arsye tjetër mund të jetë dhe rritja e çmimeve në mënyrë të konsiderueshme në Shqipëri gjatë periudhës mars-qershor dhe kjo mund të ketë ndikuar në rënien e dërgesave, për shkak se shpenzimi i tyre në vend mund të kishte vlerë më të vogël se sa kishte më parë. Specialistë të Ministrisë së Financave thanë se dërgesat e emigrantëve megjithatë janë në nivele të larta dhe vitin e kaluar ato ishin rreth 1,3 % më të larta se sa ishin në vitin 2006. Dërgesat në Shqipëri janë mjeti më i fuqishëm për të mbajtur konsumin në nivele të tilla siç është sot, janë mjeti më i mirë dhe i vetmi për të ruajtur kërkesën dhe për të siguruar këtë nivel të rritjes ekonomike. Gjithashtu, dërgesat e emigrantëve mbulojnë pjesën më të madhe të deficitit të vendit dhe sigurojnë pjesën më të madhe të valutës. Rënia e dërgesave të emigrantëve do të sjellë vështirësi për ekonominë në vend, në një kohë që prodhimi vendas është shumë i ulët. Efektet e krizës financiare në botë ende nuk kanë dhënë goditjen e tyre më të rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›