Wesley Clark: Vendet e Ballkanit do të shërbehen më mirë nga zgjedhja e Barack Obamës
Wesley Clark, ish-kandidat për zgjedhjet presidenciale të SHBA, flet ekskluzivisht në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës
Gjenerali Clark, ju jeni simboli i luftës që solli pavarësinë e Kosovës. E dini, besoj, që shqiptarët ju vlerësojnë shumë?
Faleminderit shumë për këtë. Zemra ime është pranë popullit shqiptar. Ka qenë një periudhë e gjatë dhe e vështirë për popullin në Kosovë, por besoj se jemi në rrugën e duhur tani. Kur gjërat të shkojnë më mirë, mendoj se është e rëndësishme që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s. Për momentin është e rëndësishme që kemi pavarësinë e Kosovës dhe që integrimi i ekonomisë të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit.
Ndjehemi shumë krenarë me njerëzit e Kosovës dhe të Shqipërisë.
A i ndiqni zhvillimet në shtetin e ri kosovar?
Mendoj se pavarësia e Kosovës është një hap esencial për të ecur përpara, jam i gëzuar që më shumë shtete po e njohin Kosovën dhe ata po shtohen me kalimin e muajve dhe mendoj se me kalimin e kohës Kosova do të jetë një pjesë e shëndetshme e Evropës.
Po Shqipëria? A keni lajme të mira nga Shqipëria?
Shqipëria është një vend shumë i pasur në njerëz dhe burime dhe unë jam i përfshirë në disa projekte në ekonominë e Shqipërisë. Ju keni naftë, gaz natyror, keni një peizazh të bukur, keni energji hidrike dhe pozicion strategjik shumë të mirë. Keni një popull të industrializuar dhe mendoj se Shqipëria ka një të ardhme të mrekullueshme përpara.
Le të flasim për zgjedhjet në Amerikë. Tani jeni përballë shqiptarëve, edhe shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Çfarë do i sugjeronit atyre, cili është zgjedhja më e mirë?
Unë po mbështes Barack Obamën si president i SHBA, por mendoj se kushdo që të zgjidhet president, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë një mik i fuqishëm i shqiptarëve. Nuk duhet të shqetësohet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA. Kushdo qoftë, ai do të trajtojë sigurinë e Evropës si një çështje shumë të rëndësishme dhe ju jeni në zemër të konsideratave që kanë të bëjnë me sigurinë.
Por shqiptarët janë dyshues, ata mund të mëdyshen para kutisë së votimit duke kujtuar deklaratat e Obamës për vuajtjet e popullit serb dhe mbështetjen që ai ka nga lobi serb në Ilinois.
Nuk mendoj se ka diçka për t’u shqetësuar në këtë mes. Obama president do të jetë një mik shumë i fuqishëm dhe i mirë për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Kështu që nuk mendoj se ka vend për dyshime. Obama president do të jetë shumë krenar për luftën që u bë në vitet ‘99 dhe në vitet e fundit që sollën pavarësinë e Kosovës. Jam i sigurt që ai e mbështet fuqimisht këtë.
Në anën tjetër është McCain i së njëjtës parti me Bushin, që shihet si njeriu që njohu pavarësinë e Kosovës.
E di që është e vërtetë, por mund t’ju them se të dyja partitë dhe udhëheqësit e dy partive kanë punuar shumë për pavarësinë e Kosovës. Prandaj nuk mendoj se populli i Shqipërisë duhet të shqetësohet për njërën parti apo tjetrën. Të dyja partitë do të jenë fuqimisht në favor të pavarësisë së Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar. Duhet të ndiheni të qetë dhe të lumtur që kushdo të jetë presidenti i ardhshëm amerikan, interesi juaj do të respektohet shumë dhe mbështetja juaj do të vlerësohet po kaq shumë.
Si mendoni se do ta impaktojë Ballkanin zgjedhja e njërit kandidat apo tjetrit?
Nga pikëpamja ime, mendoj se vendet e Ballkanit do të shërbehen më mirë nga zgjedhja e Barack Obamës, sepse mendoj që ai është lideri më i aftë për të përdorur diplomacinë në Evropë dhe Lindjen e Mesme, për të reduktuar mundësitë e konflikteve, për të përmirësuar mirëkuptimin mes njerëzve dhe mirëpërdorur forcën, diplomacinë dhe marrëdhëniet ekonomike në të gjithë botën.
Çfarë mendoni se do të ndikojë më shumë në votën amerikane, politika e jashtme apo ekonomia vendase?
Është një pyetje shumë e mirë. Ekonomia është çështje qendrore për Amerikën. Edhe presidenti Eisenhower dikur ka thënë se forca më e madhe e Amerikës nuk është ushtria, por ekonomia e saj dhe këto kohë ekonomia ka qenë dhe është e lëkundur. Ne kemi filluar me atë proces dhe mendoj se jemi larg linjës së finishit. Bankat që janë ndihmuar deri tani duhet të ndihmojnë bizneset e vogla amerikane dhe konsumatorët duhet të fillojnë të marrin hua dhe njerëzit të kenë besim përsëri tek ekonomia, kështu që mund të konsumojnë, investojnë dhe kursejnë. Por ne nuk jemi ende afër kësaj. Arsyeja pse unë bëj fushatë për Barack Obamën është sepse mendoj se është personi më i mirë, më i aftë për t’u dhënë zgjidhjen e duhur këtyre çështjeve. Unë e njoh John McCain dhe e respektoj atë. Mendoj se pavarësisht nëse është Obama apo McCain, nëse amerikanët janë të shqetësuar për ekonominë apo sigurinë, populli shqiptar duhet të jetë shumë i qetë me cilindo rezultat. Është procesi që ka vlerë. Çdo katër vjet ne ligjërojmë lidershipin tonë në Amerikë dhe kjo është një periudhë shumë e rëndësishme që Amerika të jetë e bashkuar. Prandaj mendoj të shihni procesin dhe të jeni me ne dhe të festoni rezultatin, pavarësisht se kush fiton.
Dhe në fund, diçka për kandidimin tuaj për president të SHBA. Ju ishit pretendent në 2004, por edhe këtë vit shiheshit si kandidat i mundshëm i demokratëve. A mund të na tregoni, çfarë përvoje është kandidimi, sa energji, financa, kohë kërkon?
Kam kaluar një kohë shumë të bukur, kur kandidova për këtë detyrë në 2003 dhe 2004. Ne mblodhëm qindra-mijëra njerëz në internet dhe ngritëm një fond mbi 20 milionë dollarë, fitova në shtetin e Oklahoma-s gjatë zgjedhjeve paraprake demokratike, dola i dyti në tri shtete të tjera. Së fundi, nuk isha kandidati, por kjo ishte një eksperiencë e shkëlqyer dhe mënyrë shumë e mirë për të kuptuar Amerikën dhe për të mësuar sistemin politik amerikan. Kështu që e konsideroj veten vërtet me shumë fat që m’u dha kjo mundësi.
Do të donit ta provonit përsëri?
Nuk e di, nuk e di, ndoshta në të ardhmen. Por tani jam i lumtur që jam në këtë proces, po bëj pak fushatë për Barack Obamën, po ofroj disa opinione politike grupeve të ndryshme. Jam i lumtur që jam amerikan. Jam i lumtur për popujt e Ballkanit, i lumtur që rajoni tani është në paqe dhe që Kosova është e pavarur. Jam i lumtur që kam miq në Shqipëri dhe jam i mirëpritur prej tyre. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj dhe pyetjet tuaja.