Ajo për çfarë luftojmë
Zgjedhjet presidenciale zhvillohen në një moment kyç. Vendi ynë zhvillon dy luftëra jashtë kufijve të tij, vuan nga kriza globale financiare më e madhe që nga Depresioni i Madh, dhe po përballet me një rënie ekonomike të dhimbshme. Unë besoj në kapacitetin tonë të prosperojmë, të jemi të mbrojtur dhe të mbetemi pikë rrezatimi në skenën globale. Por ne nuk mund t’i harxhojmë katër vitet e ardhshme siç kemi harxhuar shumicën e tetë viteve të fundit: duke pritur që fati ynë të ndryshojë. Duhet të veprojmë menjëherë. Duhet të luftojmë për të.
Institucionet te të cilat mbështeteshim – bankat e Wall Street-it, liderë tanë të zgjedhur në Uashington – na lanë në baltë. Duhet ta largojmë korrupsionin dhe arrogancën që ka përfshirë këto institucione, dhe duhet ta vendosim besimin tonë në duart e tyre që nuk na kanë zhgënjyer, veçanërisht familjen amerikane dhe biznesin e vogël.
Ne kemi nevojë ta rritim biznesin e vogël, jo ta taksojmë atë. Unë do t’i luftoj përpjekjet e demokratëve për të rishpërndarë frytet e punës së Amerikës dhe ta kthejnë ekonominë në një katastrofë të plotë. Unë do të ul taksat për familjet, pensionistët, kursimtarët dhe bizneset. Ne kemi nevojë ta dyfishojmë taksën e zbritshme për fëmijët, të ulim tatimin mbi fitimin dhe do t’i mbaj vendet e punës në Amerikë me taksë biznesi të ulët.
Unë do ta bëj qeverinë që të ketë një buxhet të përcaktuar dhe do ta zbatoj këtë disiplinë me fuqinë e vetos. Nuk do të shpenzoj rreth një trilionë dollarë shtesë nga paratë tuaja. Unë do të vendos një ngrirje të përkohshme për shpenzimet dhe ta pastroj qeverinë nga shpërdorimet, dublikimet dhe mashtrimet. Unë do të ndjek një drejtim tjetër nga ai administratës së Barack Obamës dhe nuk do t’i harxhoj paratë tuaja thjesht për të shpëtuar bankierët dhe bursistët e Wall Street-it. Unë kam një plan për të mbrojtur vlerën e shtëpive dhe ta bëj atë të rritet sërish duke ri-financuar kreditë për shtëpi e kështu fqinji juaj nuk do të falimentojë duke e ulur edhe më shumë vlerën e shtëpisë suaj.
Unë do t’u jap fund tri dekadave me politika energjitike të dështuara; do të ndaloj shpenzimin e 700 miliardë dollarëve për vendet kundër vlerave amerikane dhe financimin e armiqve tanë; do të lejoj shpimet për naftë dhe gaz natyror. Ne duhet të forcojmë incentivat për të gjitha alternativat energjitike – bërthamore, qymyr i pastër, erë, energji diellore dhe detare. Ne do të inkurajojmë prodhimin e automobilave elektrikë, hibride dhe karburantet fleksibël. Do të ulim koston e energjisë, do të krijojmë miliona vende pune të reja.
Unë nuk do të vendos sigurime shëndetësore të njëjta për të gjitha familjet dhe bizneset e vogla përmes gjobave dhe mandateve të larta. Do ta ul koston e lartë të kujdesit shëndetësor me konkurrencë dhe zgjedhje, do të reformoj tregun e sigurimeve të jetë i drejtë, dhe t’ju lejoj të ruani të njëjtin plan shëndetësor, në qoftë se ndërroni vend pune apo nëse preferoni të qëndroni në shtëpi.
Një në pesë vende pune në SHBA varet nga tregtia dhe unë do të luftoj për ruajtjen e këtyre vendeve nga plani demokrat për izolacionizëm. Unë nuk do ta vështirësoj shitjen e mallrave tona jashtë vendit dhe nuk do të shkurtoj vende të tjera pune. Unë do të hap tregje të reja për mallra të prodhuara në Amerikë dhe do të punoj që të garantoj që tregtia jonë të jetë e lirë dhe e drejtë. Gjithashtu do të punoj për të ndihmuar punëtorët që kanë humbur një vend pune që nuk do të kthehet më dhe të gjejnë një vend pune që nuk do t’u mbyllet kurrë.
Senator Obama do që të ngrejë taksat dhe të kufizojë tregtinë. Herën e fundit që Amerika e bëri këtë në një ekonomi të keqe, kjo çoi te Depresioni i Madh.
Ndërsa shumica e amerikanëve janë të shqetësuar me të drejtë për krizën ekonomike, presidentin e pret gjithashtu një botë me sfida të forta të sigurisë kombëtare.
Fitoret që kanë arritur trupat tona në 18 muajt e fundit në Irak, do të ktheheshin në humbje, nëse i tërheqim trupat para kohe, pavarësisht kushteve në terren. Ne i kemi dhënë goditje shkatërrimtare al-Qaedas, sidomos në Irak, por terroristët kanë gjetur strehë në kufirin pakistanez, midis atyre që përpiqen të rrëzojnë qeveritë në të dyja kryeqytetet, Kabul dhe Islamabad. Afganistani po mbërrin një pikë krize, siç bëri edhe Iraku në vitin 2006. Si një përkrahës i hershëm i strategjisë në Irak, e di që përmirësimi i situatës do të kërkojë më shumë se rritja e numrit të trupave në terren. Ne kemi nevojë gjithashtu për një strategji të re, gjithëpërfshirëse, një që përfshin përpjekjet civile dhe ushtarake dhe angazhon tribu afgane të ndryshme. Të tjera kërcënime të mëdha duken në horizont: programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut; sjellja agresive e Rusisë me fqinjët; aventurizmi venezuelian; gjenocidi në Darfur; dhe ngrohja globale. Këto janë vetëm rreziqet që ne njohim. Ashtu si pak veta parashikonin që Rusia të pushtonte Gjeorgjinë, ne nuk e dimë ku ose kur do të shpërthejë kriza e radhës. E vetmja qartësi është kjo, siç garantoi edhe Joe Biden, prova me të cilin përballet presidenti i ardhshëm do të jetë më e vështirë, nëse ai shikohet si i dobët në udhëheqjen e sigurisë kombëtare. Unë i kam kushtuar jetën mbrojtjes së Amerikës. Ish-sekretari i Shtetit, George Shultz, e krahason diplomacinë me mirëmbajtjen e kopshtit – nëse dëshironi të shikoni lulëzimin e lidhjeve diplomatike, duhet t’i mirëmbani. Unë e kam bërë këtë gjë, duke udhëtuar në botë e vendosur lidhje me të gjithë, nga disidentët, te kryetarët e shteteve. Bota ka shumë nevojë për udhëheqjen amerikane dhe unë e kuptoj se duke ushtruar udhëheqjen me fisnikëri dhe mençuri ne mund të arrijmë sukses në mbrojtjen e interesave tona. Kur të jem president, unë nuk do të bëj takime me diktatorë të rrezikshëm dhe as nuk do të bllokoj instrumentet diplomatike që iu shërbejnë interesave tona. Unë do të respektoj marrëveshjet tregtare me aleatët tanë, nuk do t’i rinjoh njëanshmërisht. Unë do të mbyll burgun e Guantanamos dhe do të ndaloj torturën. Do të zgjeroj Forcat tona të Armatosura dhe do t’i transformoj agjencitë tona ushtarake dhe civile që ta fitojnë betejën kundër ekstremizmit islamik të dhunshëm. Unë besoj se Amerika është një vend i veçantë, i cili kërkon udhëheqje të veçantë. Pas vështirësive të tetë viteve të fundit, amerikanët kanë etje për ndryshim dhe e meritojnë atë. Karriera ime i është përkushtuar sigurisë dhe prosperitetit të Amerikës dhe të çdo vendi që kërkon të jetojë në liri. Është koha ta kthejmë Amerikën dhe botën në shina.