“Ndryshimet e Shqipërisë, optimizëm për të ardhmen në BE”
Kryetarja e Kuvendit pret në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Valter Kolbow
TIRANE - “Evropa nuk do të ishte Evropë pa Shqipërinë. Ju keni ecur shumë përpara vitet e fundit dhe ndryshimet që keni bërë janë arsye e fortë për të qenë optimistë për të ardhmen tuaj në BE”.
Kjo ka qenë deklarata e Valter Kolbou, përfaqësues i grupit parlamentar PSD në Bundestagun Gjerman, gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, theksoi se “Për ne, partneriteti me Gjermaninë është shumë i rëndësishëm dhe tashmë pas anëtarësimit në NATO, ne jemi të lumtur që do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe aleancën me vendin tuaj që na ka mbështetur gjithmonë”.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Valter Kolbou duke parë nivelin e zhvillimit në Shqipëri gjatë këtyre 4 vjetëve tha se “Shqipëria ka ecur shumë dhe veçanërisht vitet e fundit keni qenë shumë të suksesshëm”.
Kryetarja e Kuvendit, u ndal gjithashtu te ndryshimet e mëdha që ka pësuar vendi gjatë këtyre 4 vjetëve, duke u shprehur se “Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha në një kohë shumë të shkurtër. Për ne, anëtarësimi në NATO ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme, fryt i reformave të bëra, i vullnetit maksimal”.
Duke u ndalur më konkretisht te reformat, Topalli tha se “Gjatë këtij mandati të parë, kemi ndërmarrë reforma të guximshme ligjore dhe ekonomike. Buxheti është dyfishuar, kemi rritur pagat e pensionet, investimet kanë qënë kolosale dhe rritja ekonomike vazhdon të jetë pozitive”.
Sa i përket politikës së jashtme, Kryetarja e Kuvendit tha se “përqendrimi është në liberalizimin e vizave. Do të bëjmë të gjithë përpjekjet për të përmbushur së shpejti këtë ambicie tonën dhe të të gjithë shqiptarëve”.
Në këtë aspekt, Kolbou ofroi gjithë mbështetjen e Gjermanisë, duke shprehur interes për të forcuar më tej bashkëpunimin jo vetëm politik por edhe atë ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fusha si turizmi, energjia apo infrastruktura.