E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare/Edvini frikësohet e nuk kandidon, djeg edhe socialistët e Nanos

Kryesocialisti s’ka guxuar ta shpallë për publikun listën e kandidatëve për deputetë deri në minutën e fundit, por ka konfirmuar se s’guxon të heqë dorë nga bashkia, pasi është i sigurtë se s’do t’i fitojë dot zgjedhjet e ardhshme. Por ka finalizuar fshesën në partinë e Nanos, duke e përjashtuar atë dhe mbështetësit e tij nga listat e deputetëve

TIRANE - Partia Socialiste pritet që të bëjë sot paradite publike listën e plotë me 140 emrat për kandidatë për deputetë për në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kryesocialisti Edi Rama ka shtyrë disa herë mbledhjen e Kryesisë Socialiste me
qëllim shmangien e asaj që e ai e konsideron shpesh si telenovela e politikës së vjetër. Një pjesë të mirë të kandidateve për deputetë, kryesocialisti i ka thirrur kohë pas kohe personalisht në zyrën e tij për t’u komunikuar kandidaturën, por ato janë përgënjeshtruar më vonë, duke e shndërruar krejt procesin në një bufonatë që ka vetëm një garanci; se Edi Rama nuk do të rrezikojë vetë të japë dorëheqjen nga bashkia e Tiranës, por thjesht po kërkon të kalcifikojë një grup parlamentar që ta mbrojë në të ardhmen.
Sipas vendimit të fundit të Asamblesë Kombëtare Socialiste, vetëm kryetari Rama kishte të drejtën ekskluzive të propozimit të rikandidimeve të deputeteve aktualë të grupit parlamentar. Pakënaqësitë disa prej tyre do të shpërthejnë sapo të konstatojnë mospërfshirjen e tyre në listën përfundimtare e personalitete të reja kanë dalë në pah në Partinë Socialiste, veçanërisht në hartimin e programit socialist. Pikëpyetjet e një rikandidimi kanë bërë që një pjese e mirë e te pakënaqurve të heshtin deri në këto momente duke pritur me shpresë se do të jenë në listën e kandidatëve.
Heshtja e të pakënaqurve sidoqoftë do të zgjasë deri sot deri edhe kur lista e kandidateve
për deputetë të behët publike.
Kjo taktikë e Ramës mundëson që asnjë prej të përjashtuarve të mos regjistrohet në listat e mundshme të koalicioneve apo forcave të tjera politike. 
Ish-kryetari socialist Fatos Nano nuk do të përfshihet në asnjë nga 12 qarqet e vendit ndërsa dihet tashmë edhe moskandidimi i kryetarit të PS-së njëkohësisht dhe kryetar
i bashkisë së Tiranës. E bashkë me Nanon, duket se do të shemben edhe shpresat e nanoistëve të tjerë, si Bashkim Fino, Elmaz Sherifi, Besnik Dervishi, ndërkohë që në pikëpyetje mbeten edhe Rajmonda Stefa, Ylli Bufi e Albert Çaçi.
Sot afati i fundit për dorëzimin e listave zgjedhore nga ana e partive politike. Kodi Zgjedhor (neni 67, pika 2), përcakton se, “partia politike, që është pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve”.
Nisur nga fakti që muaji maj ka 31 ditë kalendarike, sipas përllogaritjeve të bëra nga KQZ, afati i regjistrimit të kandidatëve përfundon në orën 16 të datës 19 maj. 
Aktualisht, në KQZ janë regjistruar katër koalicione zgjedhore që do të konkurrojnë në ditën e votimeve të 28 qershorit, dy të spektrit të djathtë dhe dy të majtë.
“Aleanca e ndryshimit” është grupimi më i madh i forcave të djathta, krahas “Polit të Lirisë”, ndërsa e majta përfaqësohet në zgjedhje me koalicionin “Bashkimi për ndryshim” dhe “Aleanca Socialiste për Integrim”.
Partia Demokracia Sociale ka qenë ndër të parat forca politike të njohura që ka dorëzuar dje pranë KQZ-së listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›