E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet klimaterike, priten migrime masive

Bon - Miliona njerëz do të detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar rritjes së nivelit të deteve dhe thatësirave, të cilat do të jenë rrjedhojë e ndryshimeve klimaterike. Një raport i publikuar sot nga “CARE International” dhe “Universiteti i “Kolumbias”, thotë se do të duhen më shumë fonde për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve që do të largohen nga katastrofat natyrore në dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

"Migrimi dhe zhvendosja si pasojë e ndryshimit të klimës ka potencialin të shndërrohet në fenomen të pashembullt, si në përmasa po ashtu edhe qëllim. Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, ndryshimi i kushteve klimatike do të motivojë apo detyrojë miliona persona të largohen nga vendbanimet e tyre në kërkim të mundësive dhe një vendi të sigurte për të jetuar", thuhej në studim.

Raporti nënvizon se shkenca që studion ndryshimin e klimës ishte në hapat e para dhe nuk mund të parashikonte numrin e saktë të migrantëve, por citonte Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, e cila parashikonte rreth 200 milionë migrantë si pasojë e ndryshimit të klimës, deri në vitin 2050.

Studimi i publikuar sot vinte theksin veçanërisht tek rajonet tepër të prekshme nga fenomeni klimë, të tilla si: shtetet ishullore si Tuvalu dhe Maldivet, zonat e thata si rajoni afrikan Sahel dhe disa rajone në Meksikë, si dhe Bangladeshi, Vietnami dhe Egjipti.

"Në rajonet e mbi populluara përgjatë deltave të lumenjve Gang, Mekong dhe Nil ngritja e nivelit të detit me një metër mund të prekë 23,5 milionë banorë dhe do të minimizonte terrenin tokësor të shfrytëzueshëm, që aktualisht mbi rreth 1,5 milionë hektarë përdoret për bujqësi", thekson raporti.

Shkencëtarët që studiojnë klimën kanë deklaruar se niveli i detit mund të rritet me të paktën një metër këtë shekull.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›