Ndryshimet klimatike, 1 nga 10 faktorët që kërcënojnë shëndetin
Instalohen dy qendra të monitorimit të ajrit në ISHP, për të vërejtur cilësinë dhe ndotjen e ajrit edhe në periudha të ndryshme të vitit
Ndryshimet klimaterike janë shndërruar në 1 nga 10 faktorët që kërcënojnë shëndetin e njeriut. Ndryshimet e vazhdueshme klimaterike dhe mjedisore që janë prodhuar dhe prodhojnë impakte të shumta në shëndetin e popullatës, shfaqjen e vazhdueshme të patologjive me spektër gjithnjë e më të gjerë, rëndimin e atyre patologjive apo sëmundjeve të njohura dhe ndërthurjen e këtyre faktorëve në mënyrë negative mbi organizimin e njeriut, duke vënë në vështirësi jo vetëm vendosjen e diagnozës në Shqipëri, por kudo në botë, por njëkohësisht dhe me përballjen e komplikacioneve të kombinuara me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka zhvilluar dje një seminar me specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, për t’i ndërgjegjësuar këta të fundit që t’i kuptojnë të parët këto të dhëna, t’i vënë në dispozicion kalkulimet që nxjerrin edhe për shërbimet klinike, për t’i ndihmuar ata me njohjen e problematikës. Sipas ministrit Vasili, disa ndërhyrje të karakterit teknik, si instalimi i dy qendrave të monitorimit të ajrit në ISHP, për të vërejtur cilësinë dhe ndotjen e ajrit edhe në periudha të ndryshme të vitit dhe lidhja e tyre me fenomene të karakterit të katastrofës natyrore dhe sjelljeve epidemiologjike të popullatës, japin mundësitë që të vlerësohen saktësisht, shkencërisht pritshmëritë dhe veprimet për t’u dalë përpara. Sipas specialistëve të shëndetit publik, ndryshimi klimatik po ndodh dhe kjo reflektohet në fenomene të ndryshme, sikurse përmbytjet që ndodhën, apo dhe fenomene të tjera ekstreme të tilla si thatësira, zjarret etj. Ndërkohë, këto fenomene ndikojnë edhe në shëndetin e njerëzve, duke bërë që të ndryshojë situata epidemiologjike, e për rrjedhim duke kërkuar përshtatshmëri të sistemeve shëndetësore në mbrojtje të shëndetit të njerëzve. Shëndeti mjedisor është i 8-ti ndër 10 faktorët që kërcënojnë shëndetin e njeriut. Ndërsa, për herë të parë po bëhet dhe vlerësimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike në mjedis dhe ndikimi në shëndet. “Patologjitë kanë ndryshuar dhe tashmë do të trajtojmë shumë module, si ndotjen e ajrit, ujit, sigurinë ushqimore, që janë komponentë kyç të shëndetit mjedisor. Nga ndotja e ajrit tashmë dihet që zhvillohen shumë sëmundje të sistemit kardiovaskular dhe respirator, nga ndotja e ujit kemi sëmundje të karakterit gastrointestinal, nga siguria ushqimore kemi sëmundje në traktin digjestiv”, - tha specialisti i shëndetit mjedisor, Arben Luzati. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe e asistuar nga qeveria gjermane ka ndërmarrë një projekt mbi vlerësimin e ndryshimeve klimatike dhe ndikimin e tyre në mjedis e shëndetin e popullatës. Specialistë të shëndetit publik nisën dje trajnimin mbi përllogaritjen e saktë të këtyre ndryshimeve dhe efekteve të pritshme, me qëllim dhe vlerësimin e veprimeve në raste të tilla.