Qendrat shëndetësore, metoda e re e pagesës
Vlera e pagës shtesë për cilësinë e shërbimit parashikohet në masën 10%, kush do të jenë indikatorët e matshëm për bonusin
Përcakton treguesit e rinj për vlerësimin e cilësisë së shërbimit që ofrohet nga mjekët e qendrave shëndetësore, mbi bazën e të cilëve ata do të përfitojnë edhe pagat mujore si dhe bonusin. Vlera e këtij të fundit është rritur me 5%, duke e çuar në 10% masën e pagës shtesë që do të marrin bluzat e bardha të sistemit shëndetësor parësor, nëse përmbushin kriteret e matshme të cilësisë së shërbimit. Metoda e re pagesës ka të bëjë me llogaritjen e buxhetit të qendrës shëndetësore mbështetur mbi numrin e banorëve të regjistruar, pagesa për veprimtarinë dhe bonusi për cilësinë e shërbimit. Pagesa për numrin e banorëve të regjistruar parashikohet në masën 80% nga 85% që ishte, por sipas burimeve nga Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), ulja me 5% nuk ka ndonjë ndryshim domethënës në pagesën bazë të mjekëve të parësorit. Ndërsa pagesa bazuar në veprimtarinë është pagesa për numër vizitash dhe shërben për të nxitur rritjen e veprimtarisë së qendrës shëndetësore. Kjo pagesë do të llogaritet në masën 10% të fondit të përgjithshëm të kontraktimit, në nivel qarku. Financimi i buxhetit për aktivitet lidhet tërësisht me numrin e vizitave që realizojnë qendrat shëndetësore, numër i cili është përcaktuar me vendim të Këshillit Administrativ të ISKSH-së. Kështu, qendrat shëndetësore që veprojnë në territoret e bashkive duhet të realizojnë mesatarisht 10-12 vizita në ditë, qendrat shëndetësore që veprojnë në territoret e komunave të zonave fushore kodrinore, 9 vizita në ditë, dhe qendrat shëndetësore që veprojnë në komunat e zonave malore e të thella malore 6 vizita në ditë. Po ashtu, parashikohet edhe një bonus prej 10% që do ta përfitojnë ato qendra të cilat do të kenë një staf të trajnuar e të aftë profesionalisht, i cili punon për uljen e vlerës vjetore të recetave për banorët e regjistruar si dhe do të mund të ulë numrin e referimeve te shërbimi i specializuar.
Të gjitha këto ndryshime në mënyrën e financimit të qendrave shëndetësore, ku përfshihen të gjitha ambulancat e lagjes dhe poliklinikat, janë miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, duke bërë disa ndryshime në vendimin nr. 857, datë 20.12.2006, “Për financimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar treguesit që do të merren në konsideratë jo vetëm për vlerësimin e cilësisë së shërbimit, por edhe për pagesën e punonjësve të qendrave shëndetësore. Për këtë arsye është ndryshuar neni 12 i rregullores së përgjithshme për kontraktimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor. Sipas ndryshimit, kontrata rregullon llojet e mëposhtme të pagesave për ofrimin në sasi dhe cilësi të shërbimeve shëndetësore: pagesa fikse mujore; pagesa mujore, bazuar në veprimtarinë; pagesa bonus tremujore. Pagesa fikse është: pagesa për banorë, por gjatë periudhës 2011-2013 do të bazohet në historikun e shpenzimeve. Pagesa fikse llogaritet në masën 80% të historikut të shpenzimeve të qendrës shëndetësore, duke u ulur me 5%. Pagesa bazuar në veprimtarinë është pagesa për numër vizitash dhe shërben për të nxitur rritjen e veprimtarisë së qendrës shëndetësore. Pagesa bazuar në veprimtarinë llogaritet në masën 10% të fondit të përgjithshëm të kontraktimit, në nivel qarku. Kjo shumë do të shpërndahet për çdo qendër shëndetësore, bazuar në numrin mesatar ditor të vizitave të kryera nga mjekët e kontraktuar. Bonusi është pagesa për cilësinë dhe shërben për të nxitur angazhimin e mëtejshëm të qendrës shëndetësore për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe efektivitetin. Bonusi llogaritet në masën 10% të fondit të përgjithshëm të kontraktimit në qark, nga 5% që ishte më parë. Kjo shumë do të shpërndahet për çdo qendër shëndetësore bazuar në realizimin e treguesve përkatës. Ndërkaq, vlerësimi i cilësisë së shërbimeve, për të cilat qendra shëndetësore mund të përfitojë bonus, bëhet në bazë të plotësimit të treguesve që matin: koston e trajtimit të pacientëve; procesin që kryejnë qendrat shëndetësore për kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve; rezultatin e kujdesit shëndetësor dhe trajtimit me barna; pjesëmarrjen e stafit mjekësor në edukimin mjekësor të vazhdueshëm. Kontrata duhet të përcaktojë qartë kur qendra shëndetësore gëzon të drejtën e marrjes së pagesës bonus.