Treguesit për vlerësimin e cilësisë
Ndërsa përsa i përket treguesit për vlerësimin e cilësisë, shërbimet ofrohen në nivelin mjekësor dhe profesional më të lartë të mundshëm, të matura përmes: përqindjes së pacientëve të regjistruar që janë vizituar për herë të parë nga personeli shëndetësor gjatë vitit; kostos mesatare të recetave për diagnozë, për 4 diagnoza të zgjedhura; përqindjes së pacientëve kronikë, të vizituar çdo muaj nga MPF-ja; përqindjes së grave shtatzëna që marrin vizitën e parë të detyrueshme nga personeli shëndetësor, brenda tremujorit të parë; përqindjes së fëmijëve të moshës 0-1 vjeç, që kanë kryer vizitat e detyrueshme nga personeli shëndetësor; përqindjes së fëmijëve të moshës 0-14 vjeç, të vaksinuar gjatë 3-mujorit; përqindjes së pacientëve me hipertension arterial, të diagnostikuar nën mjekim (të gjitha stadet) që kanë vlerën e tensionit arterial brenda “normës”; përqindjes së pacientëve me diabetin melitus, të diagnostikuar nën mjekim, që kanë nivelin e glicemisë esëll/hemoglobinës së glukozuar në “normë”; përqindjes së stafit që merr kreditet e kërkuara në kuadrin e edukimit mjekësor të vazhdueshëm. Në kontratë do të përcaktohen hollësisht rastet kur qendra shëndetësore gëzon të drejtën e marrjes së pagesës bonus.
Çdo indikator do të matet proporcionalisht dhe bazuar mbi pikët e marra do të bëhet dhe shpërndarja e buxhetit përkatës. Sa më shumë dhe mirë të kujdesen personeli shëndetësor për popullatën që mbulojnë aq më shumë lekë do të hyjnë në arkën e qendrave shëndetësore, që do të përdoren për shpërblime dhe rritje rroge.