E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese, Kume: Pjesë e lojës politike të opozitës

TIRANE- Ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume deklaron se më tepër se një nevojë, kërkesa për ndryshimet kushtetuese është pjesë e lojës politike të opozitës.

“Kam përshtypjen se kërkesa e radhës për të ndërhyrë në Kushtetutën e Shqipërisë, më tepër sesa është nevojë për rregullimet e dëshirueshme dhe pozitive të saj, është pasojë dhe pjesë e lojës politike të ditës”- deklaroi Kume në një intervistë për ATSH, ndërsa argumenton se ndryshimet në Kushtetutë duhet të jenë shumë të kujdesshme.

“Kushtetuta si dokumenti themelor i një shteti është ndër ato dokumenta, në të cilat ndërhyrjet duhet të jenë shumë të kujdesshme, shumë të menduara dhe me frekuenca në kohë sa më të vogla".

Sipas tij, “Kushtetuta si dokumenti bazë i shtetit, mund të ndryshohet, nuk është tabu. Por, vijon ai, “ndryshimet në të duhet të bëhen vetëm në kushtet kur zbatimet e saj për një kohë relativsht të gjatë kanë treguar se diçka duhet të rregullohet në të".
“Në asnjë moment dhe për asnjë arsye nuk duhet të justifikohen ndërhyrjet në Kushtetutë, kur si shtysë për këto ndërhyrje janë arsyet politike”, thekson ai.
Sipas Kumes, “procesi i amendimeve që i janë bërë Kushtetutës së vendit tonë deri sot, ka treguar pikërisht këtë fakt jo pozitiv. Ndërhyrjet në të janë bërë dhe janë realizuar në të shumtën e tyre vetëm si plotësim i nevojave politike dhe produkti i realizuar ka qenë vetëm në funksion të interesit politik, bile të interesit politik të ditës".

Kume i referohet ndryshimeve që janë bërë në Kushtetutë në dispozitat e saj, sipas të cilave krijohej KQZ-ja. “Ashtu sikurse ndryshimet për KQZ-në, edhe ndryshimet e fundit të realizuara në prill të 2008-ës në Kushtetutën e Shqipërisë, të bëra, për ta thënë në mënyrë të figurshme, "brenda një nate”, ishin pjesë e kompromiseve politike të ditës, më shumë sesa një arritje e objektivit që institucionet, që prodhon kjo Kushtetutë, të ishin më të qëndrueshme, më funksionale”, shprehet Kume.

Sipas tij, “nëse klasa politike e vendit bie dakord se duhet ndërhyrë sërish në Kushtetutë, vendimmarrja për këtë ndërhyrje, duhet të realizohet vetëm nëse pas një diskutimi, ku duhet të marrin pjesë aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, vendoset në se duhe të ndërhyet apo jo në Kushtetutë. Fillimisht në parim dhe pastaj se për çfarë konkretisht duhet ndërhyrë në Kushtetutë.

Kume vlerëson se kërkesat për amendime në Kodin Zgjedhor apo reformat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të kenë lidhje me kërkesën për ndryshimet kushtetuese.
(s.g/atsh/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›