E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet kushtetuese, PD kërkon dy javë kohë

Demokratët kërkuan dy javë kohë për t’u njohur paketën e propozimeve, ndërsa socialistët i mëshuan kërkesës që këto ndryshime të bëhen brenda shtatorit. Kërkesa e demokratëve u pranua, çka do të thotë se dy javët e ardhshme nuk do të ndërmerret asnjë hap korrekt për ndryshimet e kërkuara.

“Dua që ta kem diskutimin sa më profesional, nuk i futem thelbit të çështjes, prisja prezantim të thelluar e profesional e krahasues. Ne duam kohë racionale, të mund t’i lexojmë me seriozitet, t’i vlerësojmë e të japim një gjykim profesional”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli.

“Për një ligj kaq të rëndësishëm minimumi na duhen 2 javë. Për një ligj të thjeshtë që ne kemi diskutuar dikur në këtë komision, kolegët socialistë kanë kërkuar 10 ditë. Besoj se do kemi mirëkuptimin e tyre, 2 ose 3 javë na duhen sepse shumëkush prej nesh nuk e ka lexuar draftin”, tha deputeti demokrat, Edi Paloka.

Sipas vendimit, pas dy javësh do të mblidhet sërish Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar mbi propozimet e opozitës, që përqendrohen kryesisht për reformën në drejtësi. Socialistët kanë zgjedhur për relator deputetin e tyre Pandeli Majko.

Deputetit i PS-së, Fatmir Xhafaj, i ka dorëzuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, një plan pune, i cili parashikon që deri më datë 15 shtator të zhvillohen seanca dëgjimore me grupet e interesit dhe krerët e institucioneve, ndërsa brenda datës 30 shtator të miratohen ndryshimet në Parlament. “Ne nuk duam që ky të jetë një diskutim politik, por pjesë e një diskutimi të gjerë të detajuar me pyetje dhe përgjigje. Ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi, diskutimi apo ndryshimi që do të ofrohet nga ana juaj”, deklaroi Majko./Start/

                                                                                             2012-09-06 14:28
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›