E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Krimi alarmant, ne platformë kundër tij

Deklarata u bë nga deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, duke i kërkuar shpjegime kryeministrit Berisha. Shalsi tha se emërimi i shefit të kuadrit të PD në krye të Ministrisë së Brendshme është një prej treguesve të degradimit të rendit publik në vend.

"Forcat e rendit nuk e meritojnë të kenë në krye një personazh, që mund të jetë i denjë për libra apo shfaqe komike, por kurrsesi për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike. Emërimi i Flamur Nokës në postin e lartë të Ministrit të Brendshëm është fyerja dhe tallja më e fundit dhe e paskupullt e Sali Berishës me shqiptarët. E për të gjitha këto arsye forcat e rendit sot janë më të demoralizuara dhe sepse krimi është më i inkurajuar. E për të gjitha këto arsye Sali Berisha dhe qeveria e tij duhet të japin llogari”, tha Shalsi.

Në fund, deputeti i opozitës u shpreh se beteja për rend dhe siguri publike mund të fitohet vetëm kur Sali Berisha të largohet nga pushteti dhe policia të mos jetë një zgjatim i partisë në pushtet.

Gjermeni: Platformë kundër krimit dhe grabitjeve

Në një tjetër reagim, deputetja e Partisë Socialiste, Englantina Gjermeni, tha se Partia Socialiste ka platformë të qartë kundër kriminalitetit në vend. Duke e konsideruar situatën tejet të rëndë në vend në përjashtim të vitit 1997, deputetja e opozitës, tha se kryeministri ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve siguri e rend.

“Vizioni ynë për garantimin e sigurisë së jetës e pronës, i përmbledhur në Programin Për Një Rilindje Kombëtare, është i thjeshtë: luftë krimit, luftë shkaqeve të krimit.  Në njërën anë, ne do të modernizojmë e do t’i rikthejmë profesionalizmin Policisë së Shtetit e të gjitha organeve të tjera të rendit, të cilat Sali Berisha i ka kthyer në strehë për militantë të partisë në pushtet. Ne besojmë se rivendosja e sistemit të meritokracisë, depolitizimi dhe profesionalizimi janë mënyrat e vetme për ta kthyer Policinë e Shtetit në një forcë efektive, e cila gëzon  besimin dhe mbështetjen e komunitetit, pa të cilat asnjë forcë policore nuk mund te shpresojë të dalë fitimtare në luftën kundër krimit. Nuk do të ketë më policë të demoralizuar sepse nuk kanë as karburant për të patrulluar e sepse drejtohen nga njerëz të inkriminuar, pa asnjë kualifikim për postin e lartë që mbajnë veç besnikërisë së verbër ndaj Sali Berishës”, tha ajo.

Deputetja socialiste, u shpreh se për sigurimin e jetës dhe pronës së qytetarëve, nevojitet një qasje integrale, e cila-sipas saj-duhet të fokusohet tek parandalimi, po aq sa tek zbulimi dhe ndëshkimi. “Nuk mund të shmangen vdekjet e plagosjet e panumërta në rrugët e Shqipërisë thjesht e vetëm duke i mbushur me patrulla policie rrugët që përuron kryeministri të cilat nuk përmbushin as standardet më minimale të sigurisë. Nuk mund të shmangen grabitjet për sa kohë sot në Shqipëri me qindra mijëra të rinj enden rrugëve të papunë. Prandaj ne do të krijojmë punësim, që të rinjtë shqiptarë, pasuria më e madhe që ka ky vend, të mo i kthehen rrugës së krimit, por të kontribuojnë me punen e tyre për zhvillimin e këtij vendi”, vijoi.

“Nuk mund të shmangen vrasjet për sa kohë nuk zgjidhet çështja e pronës, për sa kohë nuk zgjidhet plaga e gjakmarrjes, përsa kohë nuk zhduken armët nga qarkullimi, për sa kohë nuk ndalohet prodhimi e trafikimi i drogës, për sa kohë shqiptarët nuk kanë shpresë për punësim, një jete dinjitoze, mundësi për të mbajtur familjet. Dhe adresimi i të gjitha këtyre shkaqeve, i zgjidhjes së çështjes së pronës dhe i plagës së shëmtuar të gjakmarrjes, i mbledhjes së armëve dhe i luftës pa kompromis me prodhuesit dhe trafikuesit e drogës, është për ne një prioritet madhor”, tha më tej. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-06 14:54
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›