Vajza e viktimës: Babanë e vrau vëllai
Korçë- Vrasja e të moshuarit në Pojan, gjykata liron nipin e viktimës, dy të tjerët burg pa afat, vajza e viktimës akuza për vëllanë. Krimi i ndodhur tri ditë më parë në fshatin Pojan, vetëm 20 kilometra larg qytetit të Korçës, ka qenë një nga gjykimet kryesore të të enjtes në gjykatën juglindore. Përveçse procesi ka patur një interesim të madh mediatik, një deklaratë bombastike ka ardhur nga vajza e viktimës, e cila ka akuzuar vëllain e saj për vrasjen e të atit. Madje, kjo e fundit i ka kërkuar trupit gjykues të çojë në burg vëllain që sipas saj është shkaktar i kësaj tragjedie, madje ajo ka qenë e bindur që babai 78-vjeçar ka mbetur peng i dhunës të të birit. Gjatë mesditës të të enjtes gjykata e shkallës së parë në Korçë ka dhënë masën e sigurisë burg pa afat ndaj Edison dhe Marinel Demirit, dy prej 3 të rinjve të cilët akuzohen për vrasjen e 78-vjeçarit Ali Zeneli, krim i ndodhur tri ditë më parë në fshatin Pojan të Korçës. Ndërsa për Bledar Demirin gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje“. Ky i fundit ishte njëherazi dhe nipi i viktimës, ndërsa është përjashtuar nga akuza kryesore si dy të afërmit e tij të përfshirë në vrasje. Bledar Demiri, pas hetimeve të grupit të hetimit, akuzohet për “Fshehje të krimit”. Gjatë seancës gjyqësore për masën e sigurisë dy të akuzuarit kryesorë të ngjarjes kanë mohuar autorësinë e krimit dhe kanë akuzuar djalin e viktimës, Petrit Zenelin, si autor të ngjarjes së rëndë. Madje e këtij mendimi ka qenë dhe vetë e bija e të ndjerit. Pas përfundimit të seancës, ka reaguar dhe vajza e viktimës, e cila me lot në sy dhe e mbushur me dhimbje për tragjedinë ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vëllanë e saj, si autor kryesor për ngjarjen. "Po të donin vëllezërit Demiri e kishin vrarë me kohë. Sapo Petriti erdhi nga burgu, babai vdiq. Unë kam dyshimet e mia se ai e ka vrarë tim atë”, ka pohuar e bija e Ali Zenelit. Ndërkaq dy shtetasit Edison dhe Marinel Demiri akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim”. Sipas organit të akuzës, dy vëllezërit Demiri janë të dyshuarit për krimin e ndodhur në fshatin Pojan pak pas mesnate. Ata kanë patur një konflikt me djalin e viktimës, 43-vjeçarin Petrit Zeneli, me të cilin kanë qenë fillimisht bashkë në një lokal të fshatit, ku kanë konsumuar jo pak alkool dhe më pas ka ardhur dhe sherri, ku është përfshirë dhe 78-vjeçari, i cili mbeti i vdekur si pasojë e plagëve që kishte marrë.