E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet kushtetuese, “Venecia” kundër

Aristir Lumezi 

Gjatë një takimi që zyrtari i lartë i Komisionit të Venecias ka zhvilluar pak kohë më parë me një grup gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese shqiptare në Strasburg, nuk fshehu aspak rezervat dhe pakënaqësitë e tij për mënyrën se si u bënë ndryshimet e Kushtetutës së Shqipërisë. “Komisioni i Venecias, i cili ka monitoruar nga afër të gjithë procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë në vitin 1998, duhet të ishte pyetur rreth amendimeve që asaj iu bë”, është shprehur Markert në takimin e zhvilluar në një nga ambientet e Komisionit të Venecias në Strasburg. Ai i ka konsideruar shumë të shpejta ndryshimet e bëra në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në mungesë të plotë të transparencës. Zëvendësi i Gianni Buquiçhio, kryetarit të Komisionit të Venecias, ka kërkuar nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të informohet më shumë rreth mënyrës se si u bënë amendimet e Kushtetutës dhe rolin e Parlamentit në votimin e tyre. Edhe pse të rezervuar në deklarimet e tyre, gjyqtarët shqiptarë kanë kuptuar se informacionet e Komisionit të Venecias ishin të plota rreth mënyrës se si ishte ndryshuar Kushtetuta me votat e dy partive kryesore. Zëvendëssekretari i Komisionit të Venecias ka shprehur gjithashtu shqetësim dhe për mungesën e një debati të gjatë dhe të hapur me të gjithë grupet e interesit dhe kryesisht shoqërinë civile, në hartimin e amendimeve.
Letra
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar një letër Komisionit të Venecias, përmes së cilës informon për mënyrën e ndryshimeve të ndodhura në Kushtetutën e vendit. Mësohet se Komisioni i Venecias do të ketë një reagim zyrtar rreth kësaj letre në muajin tetor, në adresë të Kuvendit të Shqipërisë. Por reagimi i zv/sekretarit të këtij Komisioni, pritet të jetë dhe fryma e reagimit që pritet të vijë nga Strasburgu. Në letrën e saj, LSI-ja njeh institucionin e lartë evropian me pushtetet që merr kryeministri i vendit pas ndryshimeve dypalëshe që PS dhe PD i bënë Kushtetutës më 21 prill. “Kryeministri i vendit pas natës së 21 prillit, ka marrë një super imunitet. Ai mund t’u heqë imunitetin atyre deputetëve të tjerë, për t’i pasur më shpejt në kontroll, dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për demokracinë në vend”, thuhet në letrën e LSI-së dërguar Komisionit të Venecias. Duke denoncuar veprimin e dy partive të mëdha, LSI shprehet se i është hequr e drejta e popullit që të shprehet përmes referendumit, ashtu siç e miratoi këtë kushtetutë. Sipas LSI-së, “këto ndryshime kërkojnë të mbajnë kryeministër Sali Berishën, kur këtë gjë ia kërkon jo gjithë opozita, flas për ata që janë në opozitë dhe jo për ata që janë edhe në opozitë, edhe në pozitë, por po ia kërkojnë edhe brenda së djathtës, pra përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke kthyer Kushtetutën e Shqipërisë në atë nivel që ishte, projektkushtetuta e Sali Berishës në 1994, t’i jepen të gjitha pushtetet përsëri një njeriu të vetëm”. “Ne nuk mund të pranojmë që ndryshimi i Kushtetutës të diskutohet dhe të ndodhë befas, kur dihet qartë se Kushtetuta e Shqipërisë, nuk mundet të ndryshojë as në mënyrë klandestine, as në mënyrë korruptive, dhe as në mënyrë arbitrare”, citohet në letrën e LSI-së drejtuar Komisionit të Venecias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›