E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti elektoral, Kuvendi nis me ndasi e përplasje

Sesioni i parafundit kuvendor ka startuar dje ndasira të theksuara ndërmjet maxhorancës dhe opo-zitës, ku arritja e konsensusit duket si mjaft e vështirë për t’u realizuar mes palëve. 

Bledar HOTI

Në këtë sesion parlamentar sfida më e madhe e këtij Parlamenti është realizimi i Reformës Zgjedhore, por asnjë prej partive kryesore të maxhorancës dhe opozitës nuk u dha ndonjë sinjal konkret, duke bërë që ajo të realizohet si përherë në momentin e fundit, pse jo me ndërhyrjen permanente të ndërkombëtareve. Opozita për mosrealizimin e Reformës Zgjedhore, mosndryshimin e Kodit Zgjedhor, fajësoi maxhorancën për mungesën e vullnetit. Ndërsa maxhoranca ka shprehur vullnetin e saj për realizimin e Reformës Zgjedhore brenda këtij sesioni parlamentar. Seanca e Parlamentit ka nisur me fjalën hyrëse të kryeparlamentares Topalli dhe më pas me shprehjen e qëndrimeve të krerëve të grupeve parlamentare të Valentina Leskaj të PS-së, Astrit Patozit të PD-së dhe të Pëllumb Xhufit të LSI-së. Në seancë kanë qenë të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, zv.kryeministri Genc Pollo, si dhe ministrat Bode, Alibeaj, Pango, Xhuveli, Gjana, Beja. Kryeministri pas shprehjes së qëndrimeve të Leskaj dhe Patozit ka lënë seancën, duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve.
Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar sesionin e ri si historik, pasi pritet të realizohen një sërë sfidash të kësaj maxhorance parlamentare, por edhe të institucionit që ajo drejton. “Këto janë kohëra historike. Së bashku do bëjmë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe të vendosemi krahas demokracive të tjera, që janë ndarë me kohë nga zgjedhjet problematike. Së bashku, maxhorancë e opozitë, po punojmë për të ndërtuar një Kod Zgjedhor që do të jetë baza më moderne ligjore, ku vota e qytetarëve të ketë të gjitha garancitë që meriton e të dominojë mbi të gjitha interesat e tjera partiake. Unë kam besim të plotë se ky Parlament ka vullnetin e duhur për të mbyllur në kohë Kodin Elektoral”, deklaroi Topalli. Sipas saj, në këtë sesion do të vazhdohet të sulmojnë problemet në çdo front, e kështu të mundësojnë për një vit lëvizjen e shqiptarëve pa viza. “Ne do ta realizojmë këtë. Ne po jetojmë kohë historike. Çdo brez sjell kontributin e vet. Çdo legjislaturë ka sfidat e saj, por ne jemi një legjislaturë e veçantë. Kjo legjislaturë ka qenë e bekuar, sepse në këtë sallë votuam MSA-në, pas nënshkrimit të saj në Luksemburg. Brenda pak javëve ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mbyllet edhe nga dy Parlamentet e fundit që e kanë në proces. Reformat ishin thelbi i kësaj arritjeje. Por avokatia e deputetëve përmes diplomacisë parlamentare ishte një vlerë tjetër e shtuar”, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se shpreson se Shqipëria vitin e ardhshëm të bëhet anëtare e NATO-s. Seanca e parë e sesionit të VII të kësaj legjislature ka vijuar më pas me miratimin e një pjese të mirë të marrëveshjeve të paraqitura, si dhe disa projektligje.

Synimet

Reforma Zgjedhore. Miratimi i Kodit Zgjedhor, ku komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore ka një muaj afat kohor në dispozicion. Miratimi i ligjit për “Hapjen e dosjeve të ish-spiunëve”. Opozita kërkon komision ad-hoc, maxhoranca kërkon votim brenda shtatorit. Miratimi i ligjeve për sistemin e Drejtësisë. Fillimisht pritet të shqyrtohet projektligji “Për administratën gjyqësore”, si pjesë e reformës. Projektligji “Për Prokurorinë e Përgjithshme”. Edhe pse s’ka mbërritur në Kuvend, që tani kanë nisur debatet e ashpra mes pozitës dhe opozitës. Projektligji “Buxhetin e ri të vitit 2009”. Ky projektligj pritet të shoqërohet me debate. Opozita që tani e cilëson buxhetin si elektoral, pasi ka shumë shpenzime të mëdha.

Të dhëna

Leskaj: Berisha, si “Qeveria e Gërdecit”
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ironizoi fjalimin e Topallit, duke u shprehur se është i njëjti që ka mbajtur dhe në sesionin e kaluar. Ajo ka kritikuar bilancet e qeverisë, duke u shprehur se “qev-erisja aktuale do të mbahet mend si qeverisja e Gërdecit”. “Në fakt, me gjithë gati-shmërinë tonë për reformat, nuk shihet që maxhoranca të reflektojë vullnet të mjaftueshëm për të ndërtuar një proces demokratik, transparent, profesional e konsensual në Parlament”, deklaroi Leskaj. Ajo shprehu shqetësim dhe për projektligjin për Prokurorinë e Përgjithshme. “U bënë javë e ndoshta muaj që në opinionin publik është ngritur një vorbull shqetësuese lidhur me një draft të qeverisë për Prokurorinë. Shqetësuese, sepse as shqiptarët, as partnerët tanë strategjikë dhe as vetë ne, opozita këtu në Parlament, nuk prisnim nga qeveria që të hartonte në terr një ligj themelor të reformës në drejtësi, ku të shkruhej e tërë ëndrra Kryeministrore për të likuiduar Prokurorinë e këtij vendi”, deklaroi Leskaj.

Patozi: PS duhet të ndahet nga e kaluara
Kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, i cili mori fjalën menjëherë pas Leskajt të PS-së, kërkoi që “socialistët të mos bëjnë që tani fushatë elektorale, por ta ruajnë atë pas miratimit të Kodit Zgjedhor”. Patozi ftoi socialistët që të miratojnë ligjin për hapjen e dosjeve. “PS-ja duhet të miratojë ligjin për hapjen e dosjeve. Propozimi për krijimin e një komisioni ad-hoc është vetëm një tallje politike. Kjo tregon se opozita nuk ka vullnet për të hapur dosjet dhe për t’u distancuar një herë mirë nga diktatura komuniste”, deklaroi Patozi. Ai e cilësoi si mjaft të rëndësishme miratimin e Kodit Zgjedhor. “Në emër të grupit më të madh të këtij Kuvendi, do të dëshiroja të ftoja të gjitha grupet e tjera parlamentare, por edhe çdo koleg në veçanti, që të punojmë bashkërisht për të realizuar synimet tona ambicioze në dobi të vendit”, tha Patozi. Ai theksoi se, “ky parlament duhet të bëjë më shumë për të shtruar me asfalt rrugën drejt zgjedhjeve pastërtisht të lira dhe të ndershme”.

PS, kushte për konsensus në Kuvend

Aristir Lumezi

Kodi Zgjedhor është kushti i konsensusit të socialistëve ndaj maxhorancës.

 Deputetët socialistë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar nuk kanë qenë dakord të japin konsensus të vazhdueshëm maxhorancës, nëse ajo nuk përmbush detyrimet e saj në lidhje me Kodin Zgjedhor dhe reformat e tjera të rëndësishme. Kryetari socialist, Edi Rama, menjëherë pas takimit me ambasadorin amerikan në selinë rozë, ka takuar deputetët e tij, të cilëve u ka uruar punë të mbarë në sesionin e ri parlamentar. Rama është rikthyer dje në mbledhjet e grupit socialist pas një periudhe të gjatë mungese. Hera e fundit e Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar, ishte ajo e vendimit të tij për përjashtimin e gjashtë deputetëve socialistë, të cilët votuan pro kandidaturës së Bamir Topit për president, duke dalë kështu jashtë vendimit politik të grupit. Gjatë fjalës së djeshme në grupin socialist, në këtë vit elektoral, Rama ka kërkuar një impenjim maksimal të deputetëve të tij në komisionet parlamentare dhe në seancën plenare. Kryetari socialist i ka bërë një rezyme pozitive punës së deritanishme të grupit, duke vlerësuar punën e të gjithë deputetëve, e kryetares dhe kryesisë së grupit, Rama ka kërkuar që gjatë këtij sesioni, të ketë më shumë sinkronizim në vendimmarrjen e tij. Rama ka cilësuar si mjaft të rëndësishme për vendin reformën zgjedhore, por dhe reformën në drejtësi.   
Kodi zgjedhor
Deputetët socialistë kanë qenë në një mendje që të mos japin konsensus të vazhdueshëm projektligjeve të maxhorancës nëse nuk përfundon reforma zgjedhore. Duket se Kodi Zgjedhor do të jetë kushti politik i socialistëve për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike për reformat dhe ligjet e rëndësishme, që pritet të vijnë në Kuvend. Por në mbledhjen e djeshme, deputetët nuk janë njohur me detaje të propozimeve, me të cilat socialistët do të shkojnë javën e ardhshme në komisionin e posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore. Por deri tani, socialistët janë shprehur se do të paraqesin në komision propozimin për komisione të përbëra zgjedhore, ndërsa janë dakord që administrata zgjedhore, komisionet të jenë të përbërë nga njerëz jashtë partiakë, kryesisht gjyqtarë që përgjigjen para ligjit. Gjithashtu socialistët janë pro ligjit “Për hapjen e dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”. Deputetët kanë qenë dakord që të ngrihet një grup ekspertësh për të përcaktuar kategoritë, të cilat do të kalojnë nën sitën e ligjit më të ri. Socialistët janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha palët në Kuvend për të hartuar pa humbur kohë projektligjin “Për pastërtinë e figurës të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”. Ky projektligj, sipas tyre, duhet të ruajë frymën e rezolutës së Kuvendit dhe të respektojë parimet e rezolutës së KE. Për të reflektuar këtë frymë parimore, për të siguruar një proces sa më transparent e konsensual, për të mundësuar hartimin e një ligji të standardeve evropiane ne propozojmë ngritjen e menjëhershme të një grupi pune ad-hoc kuvendor me përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe me asistencën ligjore të Këshillit të Evropës e të OSBE-së.
Ligji “Për Prokurorinë” mbetet dhe një nga pikat e debatit me të cilin dy grupimet do të ndeshen në ditët e ardhshme. Socialistët janë shprehur në mbrojtje të pavarësisë së Prokurorisë në ushtrimin e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore të saj.    

Koçi: Brenda shtatorit partia e re

Deputeti socialist, Petro Koçi u shpreh dje se, regjistrimi i partisë më të re socialiste, do të bëhet brenda muajit shtator.  “Rithemelimi i PS nëpërmjet shndërrimit të Lëvizjes Institucionale në subjekt politik dhe elektoral, përbën një proces të domosdoshëm për garantimin e përfaqësimit të socialistëve të vërtetë në zhvillimet e ardhshme politike. Tashmë që e djathta komandon lidershipin e PS-së ish-socialiste, e majta duhet të shpejtojë ecjen në rrugën e riformatimit dhe reformimit. Shndërrimi i Lëvizjes në parti socialiste do të përfundojë brenda shtatorit, pavarësisht se oligarkia që sundon vendin do të bëjë shumë përpjekje që ta pengojë këtë projekt politik. Veprimi ynë bazohet në 2 kolona; vendosmëri dhe dhembshuri”, tha Koçi. Sipas tij, në këtë fazë po punohet për përfundimin e ngritjes së Komitetit të Përgjithshëm organizator dhe të komiteteve përkatëse në rang qarku dhe rrethi.

Ligji për SHKB-në, Nishani e mbron nga akuzat e opozitës

Komisioni parlamentar i Sigurisë nisi dje procesin e shqyrtimit të ligjit “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”, duke zhvilluar një seancë dëgjimore me shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në mbledhjen e djeshme ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili bëri të ditur arsyet se pse u soll një draft i ri për Shërbimin e Brendshëm Policor. Deputetët e opozitës e cilësuan si një ligj që mund të përdoret politikisht nga qeveria, për të realizuar nevojat e ministrit të Brendshëm. Ministri Nishani i hodhi poshtë pretendimet e mbajtura nga dy deputetët e opozitës, Koçi dhe Lutaj. “Është i pavërtetë pretendimi se qeveria shqiptare pretendon, duke u fshehur pas asistencës që japin misionet e huaja, për të kaluar ligje që çojnë në kapjen e institucioneve. SHKB-ja, një instrument që varet nga ministri i Brendshëm. Askush nuk mund të jetë jashtë kontrollit për zbatueshmërinë me ligj të veprimtarisë. Ashtu siç ministri kontrollohet nga Parlamenti, ashtu dhe institucionet e tjera të varësisë kontrollohen nga institucione të tjera të hierarkisë”, deklaroi Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›