E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, shpallen rezultatet përfundimtare të fituesve



Jonida Tashi

Shpallen rezultatet përfundimtare të fituesve të universiteteve në vend. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se dje të gjitha drejtoritë arsimore në vend kanë tërhequr në MASH listat e fituesve. Po këto lista i janë dorëzuar edhe universiteteve publike për të bërë shpërndarjen sipas fakulteteve përkatëse. Ditën e sotme në të gjitha shkollat e mesme dhe fakultetet do të bëhet afishimi i listave të fituesve. Menjëherë pas dorëzimit të rezultateve MASH-i ka bërë të ditur edhe procedurat e regjistrimit. Kandidatët fitues do të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive të fakulteteve në datat 09, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17 shtator 2008, prej orës 08:00 deri në 18:00. Ndërsa regjistrimi përfundimtar i fituesve do të bëhet në datën 25 shtator. Pas përpunimit të të gjithë të dhënave të grumbulluara për kandidatët maturantë për studime në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, APRIAL realizoi përcaktimin e fituesve të fazës së parë. Nga lista e fituesve të kësaj faze është nxjerrë tabela e pikëve me të cilat ka fituar në një program të caktuar studimi fituesi i fundit. Në kolonën “Rend”, ku është vendosur i rendituri i fundit, bie në sy se në disa programe studimi nuk ka pasur kërkesa për të plotësuar kuotat. Për shembull, në programet e studimit Vreshtari Enologji të Universitetit Bujqësor, Inxhinieri Fizike të Universitetit Politeknik, Matematikë–Fizikë të Universitetit të Korçës etj. Në kolonën “Renditja Bazë” tregohet se i sati është renditur fituesi i fundit në renditjen fillestare për atë program studimi, për shembull: në programin e studimit 026 – Administrim Biznes të Universitetit të Tiranës, fituesi i fundit (i 460–ti) është renditur i 1928-ti ndër të gjithë ata që kanë shënuar në një nga preferencat e tyre këtë program studimi.

Dokumentet për regjistrimin paraprak

Kandidatët fitues do të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive të fakulteteve në datat e përcaktuara nga MASH. Regjistrimi fillon nga orën 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes.
Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive dhe të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
Dëftesë pjekurie.
Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje do të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.
Dy fotografi
Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë e fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit.
Sekretaria duhet ta pajisë kandidatin që bën regjistrimin paraprak me një fletë-regjistrimi-paraprak, ku të shënohet numri i regjistrit, emri i kandidatit, si dhe data dhe ora e regjistrimit
Fletë-regjistrimi-paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja e fakultetit dhe e vulosur.
Kandidatët që nuk e kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara për çfarëdolloj arsyeje humbasin statusin e kandidatit për regjistrim përfundimtar.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›