PS: Komisionet zgjedhore do jenë me persona jopolitikë
Eksperti i selisë rozë, i cili po punon mbi draftin e reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri dha dje në mënyrë të detajuar çështje të veçanta të Kodit Zgjedhor, për të cilat ka tashmë një draft të përfunduar. Një nga pikat më të debatueshme të zgjedhjeve të mëparshme kanë qenë komisionet zgjedhore, duke u nisur që nga ato të qendrave të votimit e deri tek grupet e numërimit. Për t’i bërë zgjedhjet sa më të besueshme, socialistët propozojnë komisione jopartiake. “Kapitulli i shëmtuar i pazareve me votat e qytetarëve në komisionet e votimit e të numërimit duhet të mbyllet njëherë e mirë. Partitë duhet të tregojnë vullnet të plotë për këtë. “PS-ja synon çmilitantizimin e administratës zgjedhore, e cila jo pak herë ka sjellë pasoja për procesin zgjedhor. Për këtë janë propozuar skema alternative për pjesëmarrje edhe të personave jopolitikë në çështjet e administrimit të zgjedhjeve, sidomos gjatë procesit të numërimit apo mbikëqyrjes së procesit të numërimit”, u shpreh dje Gjiknuri në një komunikim me mediat. Duke folur për listat e zgjedhësve, ai vijoi se, ata do të dalin vetëm nga regjistri elektronik i Gjendjes Civile. “Do të jetë vetëm një ekstrakt i regjistrit elektronik të Gjendjes Civile, ku sanksionohet përfundimisht se zgjedhësi voton vetëm aty ku ka vendbanimin e tij, apo thënë ndryshe ku ka gjendjen civile. Në listën e zgjedhësve do të shënohet edhe numri unik i identifikimit, i cili është i pasqyruar në ID dhe pasaportat e reja. Nuk parashikohen më kategori të veçanta zgjedhësish përveç të dënuarve, ushtarakëve dhe të sëmurëve në spitale”, shtoi Gjiknuri. Sipas tij, mbeten akoma për t’u diskutuar nga komisioni i Kodit Zgjedhor edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e kompozimit të administratës zgjedhore, regjistrimi i koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore, mënyra e ndarjes së mandateve, dhe procedurat e ankimit dhe pavlefshmërisë së zgjedhjeve.