“Vodafone Albania”, i pari operator që uli 26 për qind tarifat për klientët
Të gjithë klientët “Vodafone Card”, duke filluar nga dita e djeshme, 8 shtator, do të mund të flasin më shumë dhe të paguajnë më pak. Kjo pasi “Vodafone Albania” është i pari operator në tregun e telefonisë celulare në vend që uli tarifat deri në 26 për qind për të gjithë klientët e saj me karta me parapagim. Drejtori Ekzekutiv i kompanisë, Haris Broumidis, tha dje në një konference për shtyp se, “Vodafone Albania, që sot do të ulë tarifat deri në 26 për qind për të gjithë klientët e saj”. Kjo kompani ka qenë gjithmonë e angazhuar për të lehtësuar komunikimin për të gjithë klientët e saj, duke ulur në mënyrë të vazhdueshme tarifat, që nga viti 2001, kur hyri për herë të parë në treg. Si shembull, mund të përmendim që nga Tetori 2006, tarifat e planit tarifor me parapagesë “Vodafone Card” janë reduktuar deri në 30 për qind, ndërkohë që tarifat e planit tarifor me parapagesë “Vodafone Club” janë reduktuar deri në 50 për qind. “Vodafone Albania” ka hedhur në treg plane të ndryshme tarifore, për t’iu përshtatur më së miri nevojave për komunikim të korporatave, bizneseve te vogla dhe të mesme, si dhe individëve apo familjeve. Paketat familjare, janë propozimet më të reja të hedhura në tregun shqiptar për herë të parë nga “Vodafone Albania” në Qershor 2008. Paketat familjare u mundësojnë individëve të krijojnë planin e tyre të komunikimit familjar, duke përfituar nga tarifa të ulëta për thirrjet brenda familjes. Gjithashtu, kompania “Vodafone Albania” është e angazhuar për të siguruar cilësi të lartë dhe aparate celulare me çmim të ulët, duke e bërë telefoninë celulare të përballueshme për të gjithë kategoritë e klientëve. Me këtë risi, telefonatat kombëtare brenda rrjetit Vodafone nga 38 lekë/minutë, bëhen 29 lekë/minutë. Telefonatat drejt operatorëve të tjerë celularë, nga 50 lekë/minutë, bëhen 38 lekë/minutë, ndërsa telefonatat drejt operatorëve fiks, nga 38 lekë, shkojnë në 28 lekë/minutë. Ndryshim ka pësuar dhe tarifa e telefonatave me destinacion ndërkombëtar, e cila nga 120 lekë, bëhet 116 lekë/minutë.
9 Shtator 2008