E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndryshimet kushtetuese, çdo kthim pas është i destinuar të dështojë”

04-08-2011 / Gazeta 55

Flet deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi

Viktor Gumi ekspert i ligjit, deputet i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë thotë se kushtetuta në asnjë rast nuk ndryshohet me qëllimin e gjenerimit të krizave. Zoti Gumi ka komentuar idenë e hedhur mediatikisht nga selia rozë për ndryshime të reja në ligjin themelor, për të çbërë ndryshimet që me konsensus të gjerë u bë në vitin 2008. arsyetimin e tij zoti Gumi e lidh me një paralelizëm që hapet shpesh në të drejtën kushtetuese.
“Paralelizëm midis një personazhi mitik sikundër ishte Eulisi me të drejtën kushtetuese. Dhe shpesh thuhet në këto leksione shtesë sikundër ishte Eulisi lidhja e direkut të anijes për t’i qëndruar joshjes nga këngët e sirenës ashtu dhe një shoqëri lidhet nga kushtetuta për të mos u joshur nga zhurma politike që e rrethojnë atë. Unë besoj që ndryshimet kushtetuese janë një element madhor por veçanërisht në jetën e një shoqërie demokratike. Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për të rigjeneruar krizën institucionale. Kushtetuta duhet të jetë mjet për zgjidhjen e krizës institucionale prandaj çdo kthim pas për të imponuar përmes një mjeti kushtetues krizën institucionale është detyrimisht i destinuar të dështojë”, shprehet deputeti demokrat Gumi.
Logjikës së tij zoti Gumi i shton edhe vlerësimin për produktin pozitiv që sollën ndryshimet kushtetuese që u bë në vitin 2008. aso kohe dy forcat politike e mëdha politike ranë dakord për çdo germë të ndryshuar në ligjin themelor.
“Unë besoj se ndryshimet e kushtetutës që u bënë në vitin 2008-të kishin aspektin e tyre shumë pozitiv. Këtu mund t’i referoheni në këtë rast edhe opinionit të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese. Natyrisht që këto ndryshime kushtetuese e kaluan testin e kohës i rezistuan kohës madje nuk janë aspak anti demokratike”, theksoi më tej Gumi.
Ideja e hedhur nga partia Socialiste për këto ndryshime të reja kushtetuese  parashikon të prekë dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Republikës. Në 2008-ën PD dhe PS i dhanë fund krizës politike që prodhonte çdo pesë vjet përzgjedhja e kreut të shtetit, pasi përzgjedhja kërkonte një shumicë prej 84 votash. Tashmë në raundin e fundit presidenti zgjidhet më 71 vota. duke mbrojtur variantin aktual të zgjedhjes së presidentit zoti Gumi thotë se kjo i shkon përshtat logjikës se ky institucion përfaqëson popullin dhe jo partitë. “Presidenti nuk është aspak kandidat i partisë X apo kandidat i parisë Y. Përkundrazi praktika ka treguar që tendenca presidenciale për të qenë kandidat i njërës palë e ka shkatërruar sistemin. Presidenti është përfaqësues i popullit përfaqëson unitetin e popullit në atë detyrë dhe për pasojë ky është konturi kushtetues prej këtij nisemi dhe përfundojmë në çfarë do hapi që hedhim”, ka komentuar më tej deputeti i mazhorancës, Gumi.
Deputeti Demokrat komenton dhe variantin dhe e sjell sërish në vëmendje për një president nga populli. Por këtu zoti Gumi i mëshon arsyetimit se kurrsesi kushtetuta nuk mund të konsiderohet si një ligj i thjeshtë që ndryshon sipas oreksit politik.
“Ju mund të zgjidhni problemin e zgjedhjes së presidentit nga populli sikundër individë të ndryshëm, OJF të ndryshme, akademikë të ndryshëm mund të kenë edhe elementë të tjerë. Mjafton t’iu kujtoj këtu edhe rastin e krijimit të dhomës së dytë shpesh here të e sjellë në vëmendjen e opinionin publik nga konstitucionalizmi dhe politikanë të vjetër që janë marrë më ndryshimet kushtetuese. Pra, unë besoj se këto ndryshime kushtetuese është mirë të diskutohen të hidhen në plan akademik por kushtetuta ka një procedurë strikte të ndryshme nga e një ligji të thjeshtë. Ndryshimi i kushtetutës ka një procedurë ekstra ligjore në kuptimin parashikuar në hapa të ndryshëm në tekstin e kushtetutës me një vendimmarrje të ndryshme, me një iniciativë të ndryshme me një modalitet të hyrjes në fuqi përsëri të ndryshme. Nuk ja vlen të diskutohet në formatin e tillë nëse duhet X opsion apo Y opsion, gjithçka duhet të marrë kohën e vet momentin e vet konstitucional, situatën normale politike sepse për mendimin tim ndryshimet kushtetuese për një situatë polarizuese, kushtet politike nuk kanë më vlerë. Hedhje mediatike e varianteve gjithsesi mbetet pa variant për ndryshimet e reja kushtetuese ngjan me një praktikë test politik që zbaton shpesh selia rozë. Në bazë të përgjigjes që merr nga mazhoranca mediatikisht partia Socialiste gatuan qëndrimin e radhës politik që mbase synon të kushtëzojë një reformë tjetër të rëndësishme të cilës i mëshojnë fort edhe ndërkombëtarët siç është reforma zgjedhore”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›