Ndryshimet kushtetuese përmbyllin mbikëqyrjen

Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të jap idetë dhe propozimet për ndryshimet kushtetutese, për të bërë ndryshime jo vetëm për zgjedhjen e presidentit dhe për reformën zgjedhore, por edhe për të lehtësuar procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.
Ai këto komente i bëri të mërkurën në mbledhjen e kabinetit qeveritar, me ç’rast përshëndeti formimin e dy komisioneve për ndryshime kushtetuese, përkatësisht për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe komisionin për reformën zgjedhore për zgjedhjen e përgjithshme në vjeshtën e vitit 2013.
“Do të jetë ky një proces ku do të përfshihet gjithë spektri politik civil me dhënien e ideve, mundësive dhe debatit. Natyrisht, në kuadër të inicimit nga Qeveria e Kosovës për këto ndryshime qysh në mbledhjen e parë të Qeverisë, pra për reformat që duhej ta përfshinin vendin me ndryshimet e mundshme kushtetuese. Tani është me rëndësi se pozitë-opozitë janë të përfshira në komisione. Qeveria e Kosovës do t’i japë idetë dhe propozimet e veta që këto ndryshime të përfshijnë jo vetëm zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët apo për reformën zgjedhore, por ky proces ta lehtësojë procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur me qëllimin e vetëm të forcimit, konsolidimit të shtetit dhe integrimit sa më të shpejtë të shtetit në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka thënë Thaçi, tranemton KosovaPress.
Ai ka shprehur besimin që ky debat për këto ndryshime do të përcillet me ide që janë në përputhje me realitetin në Kosovë, për Kosovën demokratike, për sundimin e ligjit dhe për respektimin afirmativ të komuniteteve në Kosovë.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se Qeveria e Kosovës mirëpret prezencën dhe mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë me përvojë në procesin e ndryshimeve kushtetuese.